E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, rëndohet furnizimi me ujë të pijshëm

10/08/2009  Banesat te Ura e Dajlanit apo dhe në zona të tjera 2 ditë pa ujë. Problem, fluksi dhe ndërhyrjet

DURRES- Është vështirësuar edhe më tej furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm për qytetin dhe zonat periferike, kryesisht plazhet në Currila, lagjen numër 13, në Porto Romano, Gjirin e Lalësit etj. Ujësjellës-kanalizimet sh.a kanë mbajtur në gatishmëri rrjetin e furnizimit me ujë nga Fushë-Kuqe deri në pikat më të largëta të shpërndarjes nisur edhe nga kërkesa e madhe për ujë në këtë periudhë të ngarkuar me pushues. Drejtori i ujësjellësit Agron Islami ka theksuar se avaritë e ndryshme që ndodhin tek stacioni i pompave në Fushë Kuqe, tek nënstacioni elektrik, ndërprerjet e paligjshme gjatë rrugës nga Fushë-Kuqe deri në Durrës dhe një sërë ndërprerjesh të paligjshme të tubacioneve kanë ulur sasinë e ujit për konsumatorët.

Furnizimi

Durrësi në ditët më të mira merr jo më shumë sesa 38 mijë m3 ujë në 24 orë duke humbur gjatë rrugës si pasojë e ndërhyrjeve dhe keqpërdorimit të rrjetit më shumë se 10 mijë deri në 15 mijë m3 ujë. Ndonëse ujësjellësi ka bërë disa investime deri tek investimi 1.5 milionë dollarë në Kënetë zona të tëra përballen në mënyrë të përsëritur me mosfurnizmin me ujë të pijshëm për 2 apo edhe 3 ditë. Shumë familje, mjedise akomodimi pushuesish apo edhe biznese në afërsi të Urës së Dajlanit kanë mbetur pa ujë 2 ditë, rast që ndodh rrallë në Plazh për shkak edhe të masave që ka marrë drejtoria për sezonin turistik. “Prishja e një saraçineske sjell jo pak anomali pasi ndryshon e gjithë skema e furnizimit dhe shkakton çorientim tek familjarët e pushuesit”,-ka thënë Islami. Shumë nga këto saraçineska në nyje të ndryshme janë të vjetruara dhe kërkojnë zëvendësim ndërsa një veprim i tillë kryhet vetëm në kohën e bllokimit. Piku i verës ka sjellë edhe shtimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin kryesore dhe atë dytësor. Tashmë ka shkuar në treshifror numri i lidhjeve të paligjshme në gjatësinë e linjës së ujit të pijshëm nga Fushë Kuqe. Kjo ka sjellë rritjen e sasisë së ujit që humbet dhe pakësimin e ujit për pushues e qytetar. “Vetëm në Plazh mendohet se kemi një popullsi prej 260 mijë banorë aq sa Durrësi dhe rrethinat kanë të regjistruar”,-ka pohuar ing. Agron Islami. Drejtori pohon se ka pasur ditët e fundit problem në disa blloqe në Plazh si dhe në disa lagje në qytet përsa i përket furnizimit në grafikun e caktuar me ujë të pijshëm. Islami ka theksuar se “çdo vit çështja e ujit të pijshëm në Durrës vjen e vështirësohet”. Zgjidhje e vetme mbetet për specialistët e ujësjellësit vetëm një investim i ri. Konkretisht mbetet shqyrtimi i një nga 4 variantet e propozuara deri tani si zgjidhje përfundimtare për Durrësin.

Idetë për përmirësimin e furnizimit

DURRES- Në tavolinën e specialistëve është hedhur ideja e ndërtimit të një tubacioni nga Fushë Kuqe deri në Durrës vetëm për qytetin duke e shkëputur nga linjat e tjera. Varianti i dytë mbetet Ulëza për të pasuar me tubacionin nga Tirana për në qytetin bregdetar. Por ndër më të diskutua dhe më i besueshmi thuhet se është ndërtimi i një rrjeti të ri nga Rrogozhina drejt Durrësit. katër puset që kanë nisur të thellohen në Rrogozhinë do të nxjerrin mesatarisht 200 litra ujë në second. Kjo prurje mendohet të shkojë 60 litra për sek. për Kavajën dhe 120 litra për sek. për zonën turistike të Durrësit. Zbatimi i një projekti të tillë pritet të shuajë etjen e Durrësit për ujë të pijshëm. Zgjidhja mendohet të vijë gjatë vitit 2010, periudhë që do të nisë edhe zbatimi i projektit të madh. Në Rrogozhinë ka përfunduar një vit më parë kërkimi gjeologjik dhe pas vendosjes së gjurmëve ka filluar edhe hapja e katër puseve të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›