E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: Rama në Tiranë humbi 25 mijë vota, nuk ia hoqa unë, por qytetarët

15-07-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani i kundërpërgjigjet akuzave të ish kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama

Kreu i KQZ: Vendimet kanë qenë të drejta dhe të bazuara në ligj

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani i përgjigjet akuzave të përditshme të ish kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama duke i kujtuar këtij të fundit se, brenda 4 viteve ai ka humbur plot 25 mijë vota nga kryeqytetasit. Rama e akuzon kreun e KQZ-së për “vjedhjen” e Tiranës, por vetë Ristani i rendit fakte "kokëforta" se si Edi Rama pësoi rrjedhjen më të madhe të votave në bashkinë kryesore të vendit, nga fitues me 25 mijë vota në 2007-ën, në humbës me 100 vota, përballë Lulzim Bashës në 2011-ën. “Më lejoni të rikujtoj këtu se, zgjedhjet në Tiranë fitoheshin nga Edi Rama me 25 mijë vota diferencë. Kjo, jo më larg se viti 2007-ë. Në 2011-ën, dy kandidatët u ndanë me më pak se 100 vota dhe kjo do të thotë se njëri ka humbur 25 mijë vota dhe tjetri ka fituar 25 mijë vota. Këto 25 mijë vota nuk janë të Arben Ristanit apo KQZ-së, janë votat e qytetarëve shqiptarë, janë votat e qytetarëve të Tiranës. Unë e thash dhe e them se administrimi i komisioneve zgjedhore është e përbërë me ultras partiakë, por votat as nuk i heq dhe as nuk i shton kush”- u shpreh Ristani.
Kreu i KQZ-së sqaroi edhe njëherë se vendimet e marra nga institucioni që ai drejton, kanë qenë të drejta dhe të bazuara në ligj. Ristani tha se në 2009-ën misioni i OIHR kritikoi KQZ-në për mos-ushtrim të plotë të detyrës së saj, në numërimin e çdo vote te qytetarëve. Këtu Ristani kujton 6 kuti votimi në Korçë, të cilat nuk u numëruan, për mungesë ankimimi nga forcat politike. “Për numërimin e fletëve të votimit, KQZ kishte një bazë ligjore të paqartë për momentin. Morëm një vendim të ndërmjetëm. Kemi qenë në një volum pune shumë të madhe, pasi menaxhonim zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm Tiranënë, punonim me orare të zgjatura dhe në kushte shumë të vështira, pasi ju e mbani mend rrethimin e KQZ-së, për këto arsye ne mund të kishim arsyetuar më mirë, edhe pse trajtonim një problem që vinte për herë të parë në KQZ. Edhe ndërkombëtarët e pohuan se kjo çështje ishte e paqartë. Ne duhej të vepronim sepse së pari kishim një vërejtje të kaluar nga OSBE/ODIHR, që nuk ushtronim plotësisht punën tonë për të hyrë dhe zgjidhur çështje që në momentin që ato krijoheshin. Në zgjedhjet e 2009-ës na mbetën 6 kuti të pa-numëruara në Korçë. Ky ishte një gabim i madh. Por, ne nuk kishim ankimim për këtë çështje, edhe pse po të ishim treguar aktivë ato 6 kuti do ishin në rezultat, pavarësisht se nuk prodhonin ndryshim rezultati. Kjo ishte një vërejtje për KQZ-në. Për rastin e votave të pa-numëruara në Tiranë, në ndërhymë sepse vërejtja e ndërkombëtarëve ishte që të numërohej çdo votë”- tha ai.
Duke iu referuar marrëveshjes së fundit politike, për reformën zgjedhore ku përfshihet edhe formatimi i KQZ-së, Ristani theksoi se, rast se partitë politike s’do tregojnë vullnetin e duhur, për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve, akuzat ndaj institucioneve që administrojnë procesin s’do mungojnë. “Cilado KQZ-së që të jetë, nëse s’do ketë vullnet për zgjedhje të lira, problemet ndaj KQZ-së do jenë prezente”- tha më tej kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›