Berat, zjarr në kodrat e kalasë, rrezikohen shtëpitë muzeale

Rishfaqen vatrat e zjarrit në kodrën e kalasë së Beratit. Flakët kanë rrezikuar seriozisht shtëpitë e banuara të kësaj zone, e cila bënë pjesë në zonën muzeale të lagjes Kala.
Tymi dhe flakët janë pikasur nga banorët e zonës rreth orës 15:00 të ditës së sotme, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë, si dhe repartin e shërbimit zjarrfikës. Këta të fundit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe kanë filluar punën për vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se terreni i vështirë në kodrën e kalasë si dhe përhapja me shpejtësi e flakëve për shkak të erës ka bërë që zjarri të përhapet në një sipërfaqe të madhe, duke arritur deri në vendin e njohur si Tabja e Kalasë.
Në vendngjarje kanë shkuar edhe forca të policisë së Beratit, të cilët kanë qenë në gatishmëri për evakuimin e banorëve.