E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Reforma, komisionet të pavarura nga politika

Reforma zgjedhore duhet të fillojë së pari, sa i përket përbërjes së komisioneve të të gjitha niveleve. Kryetari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani ka thënë në studion e “Ora News”, se megjithëse partitë politike, e kanë hartuar Kodin Zgjedhor, sërish akuzojnë për institucionet si të varura politikisht. Në këtë mënyrë, Ristani mendon që për të shmangur situata të tilla, duhet punuar për pavarësinë e këtyre hallkave zgjedhore.
Ndër të tjera, Ristani ka deklaruar se të gjitha vendimet e marra nga KQZ-ja janë në përputhje me ligjin.
Duke u ndalur tek periudha parazgjedhore, kreu i KQZ-së theksoi se kjo periudhë është karakterizuar nga tensioni politik. “Procesi organizativ është karakterizuar nga një tension politik, që pengon zhvillimin e zgjedhjeve. Do e karakterizoja periudhën parazgjedhore, periudhë të shoqëruar me tension të panevojshëm politik. Ne arritëm të krijonim infrastrukturën zgjedhore dhe të kishim ditë zgjedhjesh, pothuajse të mirë”, vijoi kreu i KQZ-së.
Përsa i përket procesit të numërimit, Ristani deklaroi se ky proces ishte i mirë, edhe pse me difektet që dihen, por që nuk u bllokua siç ka ndodhur më parë. “Kishte 2 parakushte që na penguan, tensioni poliitk dhe mungesa e anëtarëve. U detyruam të punomin me aktet që KQZ-ja i kishte nxjerrë në 2009. Jam i bindur që zgjidhja që dha KQZ-ja ishte ligjore, e paanshme dhe që i rezistoi gjyqësorit”, nënvizoi ndër të tjera ai.
Akuzat e ngrituar nga opozita ndaj anëtarëve të KQZ-së, Ristani i cilësoi të pabaza.
“Akuzat kanë qenë të pabaza. KQZ-ja është transparent dhe në sytë e të gjithëve për çdo veprim që kryen dhe për çdo akt që merr. Edhe raportet e ndërkombëtarëve, ato që kanë dalë për 2009 kanë qenë të mira. Kritikat nuk janë për menaxhimin e zgjedhjeve nga KQZ-ja, të paktën kritikat për 2009 kanë qenë për forcat politike, sesi ato konfrontoheshin me procesin zgjedhor. OSBE-ja ka thënë se puna ka qenë e paanshme dhe transparante. Edhe raportet paraprake kanë evidentuar transparencën, nga ana tjetër nuk pres kritika të forta, pavarësisht se raporti nuk ka dalë akoma”, vijoi ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›