E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Shqipëria luftonte vdekjen

Një vendim i vjetër i Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi 12 vjet më parë 18 nene të Kodit Penal dhe të Kodit Penal Ushatarak që lejonin vrasjen në emër të shtetit. Gjithë argumentat e dikurshme të gjykatësve të një vendi që kishte parë vrasje politike pa gjyq nën komunizëm dhe ekzekutim publik në demokraci

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Përbindëshi norvegjez, autori i masakrës më të madhe në këtë vend që nga Lufta e Dytë Botërore, rrezikon të dënohet vetëm me maksimumi 21 vjet burg për 92 viktimat që shkaktoi. Një lajm i tillë në Shqipërinë e hakmarrjes sy ndër sy dhe dhëmb për dhëmb, ngjan në kufinjtë e të pabesueshmes. Ndryshimi i akuzës ndaj tij dhe klasifikimi si krim kundër njerëzimit, maksimumi mund të shtojë dhe një dekadë më shumë në qeli për të, çka sërish në Shqipëri do të ngjante fare pak. Sepse kështu ndodh këtej Mesdheut dhe kështu është bërë normale të konsiderohet krimi dhe shpagimi ndaj tij në emër të shtetit apo në emër të individit. I bëjmë thirrje shtetit që ta dënojë vrasësin me vdekje, ta sjellë të varet këtu në mes të fshatit, ndryshe ne do të bëjmë vetgjyqësi, kronikat e zeza të medias shqiptare e kanë shndërruar një frazë të tillë në steriotip. Mosbesimi i thellë ndaj drejtësisë, por dhe trashëgimia parashtetërore dhe dobësia e shtetit, janë disa nga arsyet se pse kjo situatë nuk është krijuar sot, por është thjesht në vijimësi, në një tunel të cilit nuk i shihet drita. Të paktën ai lloj i dritës që vjen nga Evropa kristiane jo vetëm si trend, por edhe si detyrim. Megjithatë, pakkush kujton vitin e largët 1999, kufirin e fundëm në të cilin Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak kishin së bashku plot 18 nene që ndëshkonin fajtorët me vdekje. Po në atë vit, një vendim i rrallë i Gjykatës Kushtetuese, të cilin MAPO e ka në dispozicion, vendosi shfuqizimin e atyre neneve si të papajtueshëm me kushtetutën, një akt i rrallë edhe kurajoje ky, sidomos duke pasur parasysh rrethanat në të cilat merrej; vendi sapo kishte dalë nga anarkia e vitit 1997 dhe krimi kundër jetës, krimi kryesor që ndëshkohej me vdekje, ishte mjaft shqetësues.

Vrasjet në emër të shtetit

Makina mori kthesën që të nxjerr në unazë rreth orës 04.00 të mëngjezit. Një tjetër furgon me policë shoqëronte atë udhëtim, që për një nga pasagjerët me pranga në duar, ishte i fundit. Atë do ta ekzekutonin në emër të shtetit. Këto fraza dramatike janë shkruar në vitin 1994 nga gazetari i njohur Edmond Laçi, atëherë reporter i Gazeta Shqiptare dhe përshkruanin ekzekutimin e një të dënuari me vdekje që nga nxjerrja e tij nga qelia e deri në vendin ku u ekzekutua me një plumb në kokë.

Në vitin 1993, gazeta Aleanca kishte botuar një reportazh nga burgu 313 dhe një nga personazhet e tij, F.S., kishte dy vjet që priste edhe ai të ekzekutohej. Ishte dënuar me vdekje sepse kishte vrarë një ushtar të shërbimit të detyruar për t´i vjedhur mushkën me të cilën transportonte ushqime për repartin e tij. I lidhur me pranga në duar dhe me një skafandër të rëndë në kokë, F.S. beson se është viktimë e një komploti në të cilin ishin përfshirë të gjithë të afërmit e tij që e donin të vdekur për çështjen e një trashëgimie toke. Rrëfimi i tij ishte gati sureal dhe ndërpritej vetëm nga betimet e herëpashershme për pafajësi të plotë, shkruhej atëherë tek gazeta Aleanca për personazhin që do të ekzekutohej po atë vit.

Më herët, në qendër të Fierit, në 25 qershor të vitit 1992, dy vëllezër, Ditbardh dhe Jozef Çuko, u varën publikisht. Atyre ju hodh laku në fyt në orën 02.00 pas mesnate dhe u lanë pothuaj gjithë paraditen përpara një turme të shokuar kureshtarësh si ndëshkim për masakrën e tmerrshme që i kishin shkaktuar një familjeje fierake, përfshi dhe vrasjen e një foshnjeje vetëm shtatë muajshe. Në mënyrë të menjëhershme pati dy reagime të kundërta: opinioni shqiptar, edhe në mungesë të sondazheve të besueshme, e konsideroi si një akt të drejtë këtë vrasje të dyfishtë të dy vëllezërve, kurse Amnisti International, duke marrë pasasysh edhe krimin e rëndë të tyre, ekzekutimin e quajti johuman dhe degradues. MAPO ka mundur të sigurojë dhe një nga telegramet e shumtë të protestës që kjo organizatë dhe të tjera të ngjashme, i ka dërguar në atë kohë Presidentit të Republikës që kishte firmosur dënimin e tyre me vdekje dhe njëkohësisht edhe ministrave të drejtësisë dhe të punëve të jashtme.

Do të kalonin edhe tre vjet deri sa Shqipëria të bashkohej me familjen e madhe evropiane që në të drejtën e saj juridike dhe kristiane, e konsideron dënimin me vdekje si johuman. Bëheshin kështu gjithsej pesë vjet, që Shqipëria ish-komuniste po ballafaqohej me një realitet të ri dhe për vendin në të cilin, ekzekutimet për motive politike ishin normë, të gjitha mëdyshjet ishin deri diku të kuptueshme. Pamjet e vjetra bardh e zi kur një togë ushtarësh qëllonte barbarisht të quajturit sabotatorë të kënetës së Maliqit, mes tyre edhe një grua, dhe fotot e vjetra të ministrisë së brendshme të komunistëve që dokumentonin vrasjen e armiqve fatkeqë të regjimit, tashmë po kalonin në arkivin e historisë. Në realitet, ekzekutime të tilla në demokraci ndodhnin nga vetë individët që në vend të shtetit, vendosnin të hakmerreshin individualisht.

Moratoriumi, shteti nuk vret më

Plot 16 vjet më parë, në 11 korrik 1995, ish-kryetari i Kuvendit Popullor Pjetër Arbnori, i dënuar i ndërgjegjes, firmosi miratimin e ligjit 7959, për aderimin e Shqipërisë në Statusin e Këshillit të Evropës, një nga etapat e mundimshme të rrugës për integrimin evropian të vendit. Por një akt i tillë, shoqërohej dhe me një sërë detyrimesh të karakterit juridik ndërkombëtar, të cilat Shqipëria morri përsipër t´i realizonte brenda disa afateve të ngushtë kalendarikë. Shqipëria detyrohej që të ratifikonte Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe të nënshkruante protokollin 6 të kësaj Kovente për heqjen e dënimit me vdekje në kohë paqeje, brenda një afati tre vjeçar që nga koha e pranimit në Këshillin e Evropës. Rezoluta e tetorit të vitit 1994 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, parashikonte se: Zbatimi adekuat i Protokollit shtesë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut duhet të mbetet një nga preokupimet e Asamblesë dhe vullneti për ta ratifikuar këtë protokoll duhet të përbëjë një kusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Kjo klauzolë e karakterit juridiko-ndërkombëtar përbënte tashmë për Republikën e Shqipërisë, si një nga vendet që kishte fituar statusin e të ftuarit special, një kusht thelbësor për anëtarësimin e saj pranë Këshillit të Evropës. Për këtë arsye, që nga ky moment – nga viti 1995 – në Shqipëri edhe pse gjykatat vijonin të dënonin me vdekje, asnjë prej këtyre vendimeve nuk ishte ekzekutuar. Në vitin 1998, kohë kur moratoriumi për ekzekutimet kishte përfunduar, në Shqipëri kishin ndodhur ngjarjet e rënda të vitit 1997 dhe një vit më pas, kishte hyrë në fuqi Kushtetuta e re. Neni 21 i saj përcaktonte se: Jeta e personit mbrohet me ligj, por dhe ky nen, nuk sqaronte në mënyrë përfundimtare se çfarë do të bëhej me jetët e atyre që kishin marrë kriminalisht jetë të tjera. Sfondi politik i kohës e bënte edhe më të vështirë hedhjen e hapit final të heqjes përfundimtare të dënimit me vdekje. Opinioni publik i trazuar nga 1997 kërkonte sërish zbatimin e formulës hakmarrëse sy për sy dhe dhëmb për dhëmb dhe politika e ditës e kishte të vështirë të vihej përballë kësaj mendësie popullore në këmbim të vlerës kristiane të Evropës që jetën e jep vetëm Zoti dhe vetëm Zoti e merr. Vetëm një vit më pas, u gjend dhe një mundësi e tillë. Gjykata e Lartë, ndërpreu shqyrtimin e një çështjeje me disa të pandehur që rrezikonin dënimin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›