E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ritmet e dancit modern ndezin Durrësin

Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, këtë vit vjen në edicionin e tij të gjashtë me pjesëmarrjen e 8 trupave nga Shqipëria, Greqia, Franca, Izraeli dhe Sllovenia

“Art është mbiemri i qytetit tim” do të ishte logoja e Festivalit Nderkombëtar Veror të Filmit, që përfundoi jo pa shkëlqim në qytetin e Durrësit. Ende pa u shuar jehona e Francis Ford Kopolas dhe Klaudia Kardinales, një tjetër aktivitet ndërkombëtar, që si mjet të komunikimit universal nuk ka fjalën, por kërcimin, zbret në Durrës, por edhe në Tiranë. Ritmet e dancit modern e ndezën mbrëmë skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, këtë vit vjen në edicionin e tij të gjashtë. Një Festival, organizimi i të cilit u vu në pikpyetje nga organizatorët, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në emër të ligjit të ri “Për Artin dhe Kulturën” “lajmëroi” se nuk do të ketë më financime për festivalet ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri. Por drejtori i festivalit, Gjergj Prevazi shprehet se pavarësisht “mohimit” të një pune disa vjeçare, në organizimin e këtij festivali, ai nuk do ta ndalë kërcimin. Për shkak të problemeve me buxhetin, duket se festivali vjen pak “në dietë” këtë vit. Nga 23 trupa që ishin një vit më parë, vetëm 8 trupa do të performojnë në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, nga data 11-17 shtator, duke sjellë në këtë eveniment shfaqjet më të fundit të realizuara prej tyre.” Në edicionin e këtij viti na ka munguar mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës dhe festivali ka vetëm mbështetjen e Bashkisë së Durrësit dhe të disa sponsorëve. E rëndësishme është që arritëm ta organizonim këtë festival, që ai të mos i mungonte publikut, megjithëse i reduktuar në numër shfaqjesh”,- shprehet drejtori artistik i festivalit, njëkohësisht dhe organizator, koreografi Gjergj Prevazi. Edicionin e gjashtë që i dha start kërcimit mbrëmë e çelën pritësit. Trupa shqiptare “Albania Dance Theatre”, me pjesën “We-Where-In”, me lëvizjet e tyre kanë dashur t’i tregojnë publikut se ata janë aty pikërisht për ata; publikun. “Ne-Ku-Ndër”, një teatër i angazhuar për formën e konceptimit çel mbrëmjen e festivalit. Shfaqja është reflektim ndaj Shqipërisë së post-komuniste. Muzikë, koreografi, fjalë dhe aktrim për një komunikim të shumëfishtë artistik me publikun. Shfaqja vjen me regji e koreografi të Gjergj Prevazit, tekst të Kim Mehmetit dhe Ema Andreas, e cila është njëkohësisht edhe aktore, që performoi në skenë. Të hënën, në teatrin e Metropolit janë dy shfaqje solo nga një trupë zvicerane, ndërsa më datë 14 do të jetë shfaqja sllovene në Akademinë e Arteve, e cila do të presë, më datë 16 shtator, një shfaqje franceze, Ballet Aktuel. Spektakli i kërcimit modern vazhdon me trupën greke “Aerites”. Një titull mjaft i veçantë “d.opa”, në fakt është një ndërthurje e traditës së kërcimit grek dhe atij kontemporan. Zvicra gjithashtu është pjesëmarrëse në edicionin e gjashtë të Festivalit, me trupën “Prototype Status”, që do të performojnë për publikun, më 13 shtator ,“Caos & Caos”. Sllovenia përfaqësohet me trupën e “Plesna Teatër Ljubljana” me “Duet 012”, për të vazhduar me kompanitë e kërcimit nga Gjermania, Franca dhe Izraeli. Ndërsa interesant është fakti se trupa nga Gjermania vjen me një bashkëpunim me balerinë të Akademisë së Arteve në Tiranë. Festivali, që tashmë e ka krijuar traditën synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan është një projekt unik në Shqipëri, pasi përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik, për të cilën ende nuk ka një veprimtari të ngjashme, qoftë dhe kombëtare. Festivali nisi si projekt në vitin 2006 dhe deri tani, në skenën e teatrove të Durrësit dhe Tiranës janë përballur kompani teatrore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Suedia, Hollanda, Turqia, Italia, Kroacia, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Greqia, Franca etj. Aida Tuci

Programi i Fesitvalit

12 shtator

“We-Where-In Albania Dance Theatre Company (Shqipëri)

“ d.opa” Aerites (Greqi)

13 shtator

“Caos & Caos” Prototype Status (Zvicër)

“Yesterday & Tomorrow” Tirana Arts Academy & Katharina Maschenka Horn (Shqipëri-Gjermani)

14 shtator

“Duet 012” Plesná Teater Ljubljana (Slloveni)

“Pigeonhole” ( solo) Katharina Maschenka Horn (Gjermani)

15 shtator

“O Positif “ Ballet Actuel (France)

16 shtator

“Star Struck” Trefeli Cmpany (Zvicër)

“Needle” Oded Ronen & Joel Bray Company (Izrael)

17 shtator

“O Positif ” Ballet Actuel (Francë)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›