E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rituali i jetës”, Një musical shqiptar për ritet kombëtare

07/06/2011  Rikthimi i traditave duket se i ka shtyrë të hedhin sytë drejt veriut të Shqipërisë dhe dimensioneve të jetës.

Nëse në vitin 1934, “New York Times” botonte një artikull mbi ritet mortore të veriut shqiptar, në qendër të të cilit ishte gjama, ose vajtimi i të vdekurit, sot “gjama” dhe ritet do të sillen në mënyrë kontemporane në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Ritualet e jetës” është premiera musical një krijim nga Arian Sukniqi, i cili përveçse si koreograf shfaqet edhe si regjisor.

Me ide të Zhani Cikos, muzikë të Klodian Qafokut, skenografi nga Bledar Gercaliu dhe kostumet nga Taulant Pustina, “Ritualet e jetës” do të shfaqet premierë absolute më 10 qershor, për të vijuar edhe dy ditë të tjera, më 11 dhe 12 qershor.

Pjesa është konceptuar në një mënyrë të tillë që të sjellë lindjen, dasmën dhe vdekjen në një formë kontemporane në teatër.

Pra, musicali u bën jehonë ritualeve jetësore që lidhen me momentet kyçe të jetës së njeriut duke sjellë realen e kohëve më parë në ditët tona dhe duke evokuar emocionet.

“Jeta njerëzore me gjithë trajtat e përvitshme që merr tek çdo individ që kalon udhën tokësore duke mbajtur rëndë mbi supe fatin e tij, kalon herët a vonë përmes aktesh thelbësore dhe komuna që së fundmi janë fare të pandryshueshme nga një entitet tek tjetri. Sistemi shifror është i pamjaftueshëm dhe madje i pamundur të regjistrojë kalimtarët jetësorë mbi tokë. As raca, pamja, përkatësia, zhvillimi mendor, sistemi i bashkëveprimit social, posedimi dhe shpërndarja e të mirave, niveli i përshkallëzimit në secilin grup etj., nuk i shkëputen dot kalimit në urën e jetës mbështetur fizikisht në dy këmbët e shtrira në ekstrem: lindje-vdekje. Mes tyre kalon gjithçka që i përket individit: mënyra si do të kalojë rrugëtimi i numëruar në rite, kombinimet e rastësishme apo të definuara të fazave që i ngjasin piketave të orientimit, përkimet me entitetet e tjera që gjithashtu trajektojnë në të njëjtën hapësirë dhe shtrirje kohore, kombinime këto nga më të çuditshmet dhe surprizueset”, shprehet drejtori i TKOB, ideator i këtij musicali, akademiku Zhani Ciko. Sipas tij, të marra në rigrupimet më skematizuese dhe të çliruara nga përjetimet e entitetit si njeri, ato gjithsesi i nënshtrohen pak a shumë të njëjtës diagramë linjash, kromatizmash e kurbash që me gjithë pamundësinë piknisin tek akti i lindjes dhe përfundojnë mbi tokë tek akti i vdekjes. “Përjetimi në komunitet i këtij ‘trinomi’ ta quajmë që nis me ‘britmën e gjallimit’ pas së cilës nis starti i gjendjeve krejt të ndryshme të ‘rrugëtimit jetësor’, mes gëzimesh, vuajtjesh, qetësimesh, përpjekjesh dhe realizimesh për të mbërritur tek ‘gjama e mortit’ që gjithsesi përmban aktin më tronditës: ka veçanësitë e veta tek çdo popull”.

“Gjithçka në krijimtarinë që buron prej këtyre tre piketave i përket përjetimeve krijuese përmes artesh të kënduara a realizuara kolektivisht a kombësish. Përshkrimet dhe përjetime në këtë rrugëtim janë në kahje të kundërta: fati i secilit është i përveçëm, forma-emotiviteti i përjetimeve krijuese shprehet së bashku në grupime bartësish që bashkë me krijimin kanë ruajtur dhe kodet e tyre artistike. Vetvetiu ka këtu diçka “skenike”, madje shumë e ngjashme me ato forma ‘regjie’ që lëvizin gjithçka në skenën natyrore ku ka nisur vërtetësish”, vijon Ciko.

Ai shënon se sjellja e këtij rituali përmes përgjithësimit artistik, ruajtjes së autencitetit të elementëve dominues burimore është diçka tepër mbresëlënëse, madje tronditëse- do të ishte më përkufizuese.

“Ajo vjen e trajtuar vërtetë së pari përmes një kërkimi artistik tepër të imët e të përgjithshëm njëheri. Shquhen në nebulozën që sjell tronditja nga akti i gjamës të gjitha elementët e burimet, madje mes një gjoja shkujdesjeje hera-herës vijnë këngët më të njohura të krijuara në rite, të cilat pasohen nga dancime së shumi të rikrijuara tërësisht që i japin materialit burimor bazik bashkëkohësinë-modernitetin.

Ndonëse lënda burimore është komune siç është gjithë krijimtaria etno muzikore e koreografike ‘Rituali…’ vjen i trajtuar në tërësi shumë i spikatur individualisht ku autorësia nuk i përket rolit përpunues, por së shumti atij si krijues”.

Ciko e quan “Ritualin” një etno-musical që sjell në fakt “Ritualin shqiptar” përmes ritesh të veçanta që kanë marrë jetë mbi truallin e krahinave në këtë rast të Gegërisë së pastër e shtrirjes urbane të saj në kryeqendrën e skajit verior Shkodër. Një ritual që sjell një gjetje të re në mënyrën e të krijuarit të spektakleve popullore që e kemi ndeshur shpesh në skenën e jetës, filmime dokumentuese apo festivitete folklorike, por për hir të së vërtetës asnjëherë në podiumet e një krijimtarie të mirëfilltë muzikoreografike të skenës sonë prestigjioze të artit.

“Është një gjetje që meriton së paku të vazhdojë, sigurisht”, përfundon ai.

Musicali, ndryshe nga sa mund të mendohet çel prezantimin e ritualeve jo me lindjen, por me vdekjen, për të vijuar në një cikël dhe linjë të anasjelltë me atë që na serviret në jetë, pra: vdekja, dasma, lindja. Një prej personazheve më interesante është një femër që personifikon nënat në tërësi dhe që interpretohet nga Rudina Delia, e cila në skenë këndon një ninullë mbi dashurinë. Kjo ninullë është i vetmi detaj muzikor që i takon Jugut shqiptar, pasi vija muzikore në përgjithësi është marrë nga Veriu.

Pjesë e “Ritualit…” janë rreth 70 vetë, mes të cilëve edhe tri australiane që interpretojnë në të, falë Leonard Xhokaxhi.

Blerina Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›