E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ndaj grave... në Kukës është normalitet

Edhe pse para tre vitesh është një ligj për "Për masat ndaj dhunës në familje", rastet tregojnë se vetë institucionet e shtetit, si dhe përfaqësuesit bëhen pjesë e dhunës, kryesisht me mosveprimet, me pamundësinë e ndërhyrjes, si dhe me mungesën e bashkëpunimit të vetë viktimave, që në rastin tonë janë gratë dhe vajzat.

Fenomeni
Në Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza në Kukës mësohet se numri i grave dhe vajzave që kërkojnë mbështetje sa vjen e rritet, çka flet për një përqindje të lartë të femrave që dhunohen fizikisht dhe në forma të tjera.
Drejtoresha e kësaj qendre, Vera Istrefi, tregon se në dy vitet e fundit, rreth 200 gra dhe vajza kanë kërkuar mbështetje për dhunën që ushtrohet në mënyrë sistematike ndaj tyre, kryesisht në familje. Istrefi thotë se gjendja duhet konsideruar serioze dhe se strukturat shtetërore duhet të ndërhyjnë për të ndihmuar gruan e dhunuar, atë të pambrojturën, e cila, për shkaqe të ndryshme, pranon që mbi të të ushtrohet dhunë.
"Shkaqet që çojnë në diskriminim ndaj gruas gjenden plot: së pari te problemet ekonomike, por edhe te niveli kulturor etj. bëhen shkak i dhunës, ndërsa ne synojmë të ndërgjegjësojmë për të drejtat e tyre dhe për kurajën që ato ta denoncojnë dhunën", tha Istrefi.

Policia
Shefi i sektorit për dhunën në familje në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, Milazim Halili, tregon se për dy muajt e fundit ka pasur katër raste të "kërkimit të mbrojtjes nga dhuna" për të cilët i është kërkuar organit kompetent lëshimi i urdhrit përkatës.
Por ka pasur shumë raste kur vetë gratë janë tërhequr para kësaj mase penale, në rastet më të rëndomta ndaj burrit. "Kemi pasur më shumë se 10 raste kur gratë i janë drejtuar zyrës sonë për ndihmë. Kryesisht kanë bërë padi kundër burrave, të cilët në gjendje të dehur apo depresioni ushtrojnë dhunë fizike ndaj grave, por kur u kemi bërë të ditur se burrat duhet t‘u nënshtrohen masave penale dhe madje edhe burgut, ato janë tërhequr", tregon Halili.
Kështu del se gratë, kryesisht ato të pashkolluara dhe të papuna, pranojnë dhunën fizike në këmbim të ekzistencës. Sepse ndaj tyre nuk tregohet kujdes i duhur nga shteti, edhe pse struktura të caktuara paguhen për këtë.
Përveç kësaj, kundër grave që ngrenë zërin për të drejtat e tyre ushtrohet ndikimi i mentalitetit dhe forca e zakonit, çka çon në braktisjen e tyre nga prindërit, nëse një grua ndahet nga burri, por edhe nga shteti nëse ajo është e papunë. Shteti është kaq i pandjeshëm ndaj grave në nevojë sa i shtyp edhe me ligj, për shembull, nuk u jep raportin e lindjes nëse janë të papuna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›