E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi lavdëron punën e Gjykatës Kushtetuese

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka pritur në një takim kryetarët e Gjykatave Kushtetuese të Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, të cilët po marrin pjesë në shënimin e dy vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa ai nuk ka kursyer premtimet që të ndihmojë këtë gjykatë në të gjitha aspektet.

Ai gjatë takimit me kryetarët e gjykatave ka biseduar për të arriturat e drejtësisë në Kosovë, për reformat e thella që po bëhen në sferën e drejtësisë dhe për punën e madhe dhe të mirë që e ka bërë Gjykata Kushtetuese në dy vitet e shkuara.

Gjithashtu ai ka premtuar një ndihmë të veçantë kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen qoftë në infrastrukturë, qoftë në kuptimin e buxhetit dhe në përzgjedhjen e anëtarëve në kuptimin profesional dhe të integritetit profesional.

Për më tepër ai ka shtuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës me punën e saj, ka treguar që është gjykatë konkurrente me vendet e rajonit.

“Ajo që është bërë nga Gjykata Kushtetuese në vitet e shkuara është për admirim dhe mendim i tërësishëm gjithë politikës dhe qytetarëve të vendit tonë që është një gjykatë konkurrente me gjykatat e tjera në regjion. Natyrisht që si ministër i Drejtësisë mbështes dhe inkurajoj dhe ndihem jashtëzakonisht mirë kur e shoh që Gjykata Kushtetuese e Kosovës bashkëpunon shumë ngushtë me gjykatat e tjera rajonale dhe më gjerë duke përfshirë gjer në Portugali”, ka thënë Kuçi.

Nga ana tjetër kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e Kroacisë, Jasna Omejec, e cila ka folur në emër të gjithëve, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të zbatojë atë që kërkon shoqëria demokratike.

“Dëshiroj të porosisë qytetaret e Kosovës se detyra e Gjykatës Kushtetuese është e pazëvendësueshme në zhvillimin e të ardhmes. Kam besim absolut që Gjykata Kushtetuese e Kosovës mundet të zbatoj ata që e kërkon shoqëria demokratike. Ajo është investim në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e drejtave të njeriut”, ka thënë Omejec.

Gjithashtu, në këtë takim kanë qenë prezent edhe gjyqtarët nga Portugalia, Turqia. Ky delegacion është duke qëndruar në Kosovë me rastin e shënimit të dyvjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›