E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër ndryshimit të kufijve

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe homologu i tij maqedonas, Nikolla Poposki kanë dhënë qëndrime të njëjta sa i përket situatës në veri të vendit dhe pretendimeve të Beogradit zyrtar për ndarje të Kosovës. Të dy ministrat theksuan se shtetet e Ballkanit duhet të ndjekin politikat që dërgojnë drejt integrimit në BE, e jo politikat apo zgjidhjet të cilat i takojnë një epoke tjetër, me tentativa për të bërë ndryshimin të kufijve.

Këto qëndrime ministrat i shprehën të premten pas një takimi, ku përveç tjerave kanë diskutuar për mundësinë e forcimit të marrëdhënieve diplomatike mes Prishtinës e Shkupit.

I pyetur për gjendjen në pjesën veriore, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka thënë se problemet atje po i sjellin disa persona që janë mbetje e regjimit të Millosheviqit. Sipas tij, situata në veri është krijuar edhe si pasojë e ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Qeveria e Serbisë, të cilat veprime askush në botën demokratike nuk i përkrahë.

“Më lejoni t’u them që për të gjitha vendet e BE-së është mëse e qartë se politika e Serbisë e qëllimeve të pakufi të ndërhyrjes në shtetet e tjera është një politikë e cila i takon të kaluarës dhe unë jam shumë i sigurt që në ditët në vijim do të ketë presion të shteteve anëtare të BE-së që para marrjes së statusit të kandidatit të filloj procesi i shpërbërjes së strukturave ilegale në veri. E tërë përpjekja ime dhe përpjekja e Qeverisë është që vënia e statusit të kandidatit të ndërlidhet me shpërbërjen e këtyre strukturave ilegale”, ka thënë ai.

Në këtë rast, Hoxhaj ka ritheksuar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të implementuar planin e Ahtisarit për veriun, i cili plan sipas tij favorizon maksimalisht komunitetin serb.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki ka dhënë qëndrime të njëjta sa i përket situatës në veri të Kosovës, ndërsa ka kundërshtuar pretendimet e Beogradit zyrtar për ndarje të Kosovës.

“Zgjidhjet në rajonin tonë nuk duhet të kërkohen me ndryshimin e kufijve, por në perspektivat e integrimit . Unioni Evropian na jep një kornizë të shkëlqyer në këtë drejtim dhe mendoj se kjo duhet të jetë udhërrëfyesi ynë në sjelljen e vendimeve në periudhën e ardhme. Duhet të fokusohemi në dobi dhe përfitimet që na ofrojmë dhe mos të kthehemi në zgjidhjet të cilat i takojnë një epokë tjetër, e jo atij të integrimit modern të Unionit Evropian”, ka thënë Poposki.

Ndryshe vizitën e planifikuar që para disa muajve dhe të shtyrë për disa javë, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki po e realizon tani në Prishtinë. Poposki përveç me ministrin Enver Hoxhaj është takuar edhe me kryeparlamentarin Jakup Kransiqi, kurse do të ketë takime edhe me drejtues tjerë të shtetit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›