Rivihet në skenë "Migjeniana"
TIRANE - Me rastin e 100-vjetorit të Migjenit, ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit rivënë në skenë "Migjenianën", spektaklin e fjalës, lëvizjes dhe muzikës. Një pjesë e realizuar nga Artisti i Popullit, Agron Aliaj mbi veprën e Migjenit vjen me muzikën e Gjon Simonit (Artist i Merituar). Në këtë spektakël poezitë interpretohen nga Sokol Angjeli, ndërsa skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Genc Shkodrani. Me interpretimin e solistëve dhe trupës së baletit të TKOB-së, "Migjeniana" riprek skenën më 14 tetor, ora 19.00. Me Migjenin (emri i plotë Millosh Gjergj Nikolla), fillon zhvillimin e saj poezia kontemporane shqiptare. Ai ka lindur në Shkodër më 13 tetor 1911. Në fëmijëri studioi në shkollën e këtij qyteti dhe me vonë në seminarin ortodoks të Shën John në Bitola (Manastir), Maqedoni, ku ai u njoh me autorë serbë, rusë dhe francezë. Me kthimin në Shqipëri ai hoqi dorë nga karriera si prift dhe u bë një mësues në Vraka, një fshat pak kilometra larg Shkodrës. Atje ai filloi të shkruajë vjersha dhe tregime të shkurtra. Në 1935 shkon në Shkodër si mësues dhe pastaj në Pukë. Migjeni ishte një nga poetët e parë që abandonoi traditën e nacionalizmit romantik që kishte zgjatur për një kohë shumë të gjatë në poezinë shqiptare. Poezia e tij është e karakterizuar nga një etikë e fortë sociale, jo me keqardhje për të varfrit, por me dhunë kundër padrejtësisë dhe shtypjes. Volumi i tij me poezi i titulluar "Vargjet e lira' u botua për herë të parë në 1936, por u konfiskua për një herë nga autoritetet. Botimi i dytë më 1944 ishte më i suksesshëm. Vetëm në vitin 1956 kjo punë e tij u botua e plotë në një vëllim. Që atëherë poezia dhe proza e Migjenit është botuar në disa gjuhë të huaj.
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)