E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli merr raportin e KE-së: Opozita bllokoi progresin

TIRANE-   “Progres raporti do të jetë axhenda e parlamentit dhe çdo kapitull i tij do të lexohet me vëmendje. Ligjet e kërkuara do të jenë gjithmonë në rend të ditës dhe çdo çështje e ngritur do të jetë platformë e punës sonë". Ky ka qenë mesazhi që kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli i ka përcjellë sot kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë. Ettore Sequi i i dorëzoi sot zyrtarisht kryetares së Kuvendit, Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2011.
  Ndërsa ambasadori Sequi theksoi se "Integrimi, është dhe duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar. Ne mbetemi të gatshëm, të punojmë së bashku për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian"

Kryeparlamentarja përsëriti akuzën ndaj opozitës se me bojkotin dhe bllokimin po dëmton Shqipërinë. “Si Kryetare e Kuvendit dhe si politikane ndihem keq që për interesat personale të dikujt, të dëmtohen qytetarët"- nënvoi ajo. Raporti do u dorëzohet krerëve të grupeve parlamentare, të cilëve Topalli i ftoi edhe një herë të punojmë së bashku për reformat dhe ligjet integruese.

CFARE THA PROGRES RAPORTI PER PARLAMENTARIZMIN
Njëfarë progresi modest është bërë në organizimin e punimeve të Parlamentit. Kjo përfshin një numër të kufizuar të ndryshimeve të rregullave të procedurës së Parlamentit, disa prej të cilave janë një përmirësim mbi praktikën e kaluara. Megjithatë, puna parlamentare vazhdon të pengohet seriozisht nga bllokimi politik mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, mungesa e dialogut konstruktiv politik dhe retorika konfrontuese e rritur ndjeshëm nga ngjarjet e 21 janarit dhe procesi i diskutueshëm dhe rezultati i zgjedhjeve bashkiake në Tiranë. Opozita i dha fund bojkotit të gjatë të punës parlamentare më 5 shtator. Për shkak të bllokimit politik, përparimi në lidhje me kontrollin legjislativ dhe funksionin e mbikëqyrjes së ekzekutivit mbetet i pamjaftueshëm. Ka pasur disa përpjekje serioze për krijimin e bashkëpunimit ndërpartiake në Komitetin e Integrimit Evropian, i kryesuar nga opozita. Në tërësi, funksionimi i duhur i Parlamentit bazuar në dialogun konstruktiv dhe të qëndrueshëm politik mes të gjitha partive - që është një prioritet kyç i opinionit - nuk është siguruar ende. Gjatë periudhës raportuese Kuvendi miratoi më shumë se njëqind ligje.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›