E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhet për dy të ekzekutuarit e regjimit, Topalli replikon me Topin

TIRANË- Homazhet në Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë në Tiranë, në nderim të kujtimit të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, dy të rinj të pushkatuar në vitin 1984, eshtrat e të cilëve u gjetën pak ditë më parë në fshatin Kuç të komunës Gur i Zi, në Shkodër, nuk e kanë penguar aspak Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, që në një ditë të tillë, të shprehë kundërshtitë e saj ndaj Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili ishte parashikuar të merrte pjesë vetëm pak minuta më pas. Me një ton jo të qetë, Kryetarja e Kuvendit u shpreh: “Është një moment për të ftuar këdo, që ka një pozicion të caktuar, përveç të tjerëve, për t'i thënë fort, që të mos guxoni më të dekoroni ata që kanë vrarë në mënyrën më barbare, si këta dy djem të rinj, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ashtu dhe me mijëra e mijëra të tjerë. Ajo është fyerja më e madhe, që mund t’i bëhet vetes së tyre, familjeve të tyre, edhe ne si komb”. Topalli nuk iu shmang këtij mesazhi edhe teksa u pyet për një tjetër çështje, pikërisht për mungesën e opozitës në Kuvend. “Nderim të thellë sakrificës dhe shpirtit të madh të lirisë. Ata që dekorojnë vrasësit e tyre, janë më tepër se hipokritë”, - u përgjigj ajo. Krejt ndryshe ka reaguar Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili edhe pse përcolli mesazhin se politika ka bërë pak për ish-të përndjekurit, e ka cilësuar deklaratën e Topallit një melodi të vjetër. “Unë do i kujtoja gjithsecilit që nuk është momenti për të luajtur një melodi të vjetër. Shqiptarët kanë nevojë që të bashkëpunojnë midis tyre, në radhë të parë, ata që janë në pozicionet ku kanë mundësi që të rikuperojnë sadopak dëmet që i janë shkaktuar këtyre familjeve. Sot, në vitin 2011-të, minimalisht duhej të kishte përfunduar historia e rikuperimit dhe e kompensimit material të këtyre familjeve. Pastaj, nderi që i bëhet nga shoqëria është nderi që i vjen në radhë të parë nga sensitiviteti individual, personal. Unë besoj që çdo adresim për elementë të tillë, që nuk e di se ku drejtohen, por pavarësisht nëse kanë një nëntekst, besoj që janë të gabuara. Institucioni i Presidentit ka bërë më shumë se çdo institucion tjetër, ka hapur dyert e institucionet dhe besoj se duhet ta dini se asnjëherë Institucioni i Presidentit nuk bën dekorime me iniciativa personale. Ato vijnë si propozime nga institucionet”. Edhe Kryeministri Berisha nga ana tjetër nuk i është shmangur situatës aktuale në vend, duke hequr një paralele me ekzekutimin e dy të rinjve në emër të fjalës dhe mendimit të lirë. “Ju dhe të rinjtë shqiptarë duhet ta dinë se kur ata burra kanë votuar, janë paraqitur para dy kutive: njëra ishte kutia e frontit, e barbarisë, ndërsa tjera quhej kutia e armikut. Kjo më është kujtuar disa herë këto kohë, kur ka nga ata që votën e hedhur në një kuti tjetër duan ta konsiderojnë si votë të ekzekutuar, si votë të paqenë. Ata burra kanë sakrifikuar që ne të ndahemi nga klishetë e një kohe që kurrë nuk kthehet më, që të votojmë të lirë, të votojmë me dinjitet, që të nderojmë njeri - tjetrin, që të respektojmë votën ndryshe”, - tha dje Berisha. Në nderim të kujtimit të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, mori pjesë dje gjatë homazheve edhe kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. “Përkujtimi i këtyre dy martirëve është në radhë të parë një tribut për guximin e tyre në një kohë shumë të vështirë për virtytin, në një kohë shumë të vështirë për kurajën, në një kohë shumë të vështirë për të vërtetën, në një kohë të pa mundur për lirinë. Është po kështu një kujtesë për borxhin moral që kemi ndaj martirëve, eshtrat e të cilëve akoma nuk janë kthyer në vendin e duhur të prehjes, për t’i nderuar familjarët, farefisi, të afërmit dhe e gjithë shoqëria”, u shpreh Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›