Rizgjedhja e kryetarit në PS, pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit
Zgjedhjet për kryetarin e ri të PS-së erdhën pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit, pasi socialistët humbën zgjedhjet e 28 qershorit, dhe sipas statutit, kryetari duhet të ndërpresë mandatin e tij. Ky vendim u mor nga Edi Rama si kryetar i PS-së pas shumë debateve që lindën brenda kësaj partie. Por pavarësisht këtyre debateve, Edi Rama vendosi të rikandidojë sërish për postin e kryetarit të partisë dhe si kundërshtar i tij i vetëm doli Maqo Lakrori, pasi Ben Blushi dhe Arben Malaj u tërhoqën nga gara, sepse e cilësuan si shkelje të statutit rikandidimin e Edi Ramës sërish për postin e kryetarit të partisë. Duke u mbështetur tek argumenti se PS nuk ka humbur, por u mund nga makineria kriminale e pushtetit, Rama u fut sërish në garë, dhe me këtë argument bëri dhe fushatën e tij në bazë për tri javë në të 12 qarqet. Fushatë që, ndryshe nga herët e tjera, dy kandidatët e kanë zhvilluar së bashku. Pas fushatës, ditën e djeshme anëtarët socialistë u janë drejtuar kutive të votimit që në orën 08:00 të mëngjesit dhe deri në orën 16:00 pasdite, ku është bërë mbyllja e tyre. Sipas komisionit të zgjedhjeve në PS, procesi është zhvilluar i qetë dhe pa probleme.