E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Ramës, Berisha pritet të rikonfirmohet kryetar në dimër

Pas rikonfirmimit të Edi Ramës në krye të PS, edhe kryetari i PD-së do të kërkojë votëbesimin nga Kuvendi i demokratëve për të drejtuar edhe për katër vite të tjera Partinë Demokratike. Statuti i PD-së përcakton qartësisht se kryetari i PD-së zgjidhet çdo katër vjet. "Zgjatja e mandatit në PD është për katër vjet", citohet në nenin 8 të statutit të Partisë Demokratike. Drejtimi i PD-së është lënë në dorë të Sali Berishës në vitin 1990 dhe pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, kontrollin e partisë blu e merr Eduard Selami, deri në vitin 1994. Më pas, Tritan Shehu zëvendëson Selamin në këtë post deri në vitin 1996, për t‘ia lënë më pas Sali Berishës. Në zgjedhjet e vitit 1999, rivali i Kryeministrit Berisha ishte Uran Butka. Dyshja Berisha-Butka u përsërit në vitin 2005, përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 3 korrikut 2005. Nuk dihet ende se cili do të jetë kandidati "sfidues" i Berishës, por ajo që vlen të theksohet është se zgjedhjet në PD u shtynë për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Afati për ristrukturimin e PD-së nuk është përcaktuar ende, por ajo që vlen të theksohet është se ato do të bëhen në tre muajt në vazhdim. Kuvendi kombëtar do të vendosë për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj. Ky Kuvend do të miratojë statutin e PDSH-së dhe ndryshimin e tij dhe do të zgjedhë me votim të fshehtë 100 anëtarë të Këshillit Kombëtar nga një listë përfaqësuese. Pritet të zëvendësohen emra si Spartak Ngjela, Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj, por edhe të tjerë. Në statut është përcaktuar se kryetari i ri i PD-së zgjidhet me votim të fshehtë. Kuvendi i PD-së do të miratojë gjithashtu komisionet e mandateve, të kërkesave dhe të votimit, që përgjigjen për mbarëvajtjen e punimeve të tij. Surprizë do të jetë zëvendësimi i "rebelëve" si anëtarë kryesie të PD-së me emra të rinj, ndërsa emri i kreut të ri të PD-së nuk do të ketë shumë surpriza, pas rikonfirmimit si Kryeministër nga zgjedhjet e 28 qershorit. Pika tre e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike specifikon se "kryetari i partisë zgjidhet me votim të fshehtë, me sistem mazhoritar me dy raunde. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme".

E.A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›