E Diel, 1 Nëntor 2026

Rizgjimi i votuesve të fjetur



Prishtinën do ta qeverisnin prishtinasit, është një moto e fushatës zgjedhore. Në këtë slogan s’ka dyshim se ka të vërteta, por pos këtij fakti kryeqytetin e shtetit më të ri do ta qeverisë ai menaxhues i mirë, i sprovuar, i cili do ta ketë besimin e vendësve dhe të atyre që gjithë jetën e veprimtarinë e tyre ia dhanë qytetit. Në mandatin e ardhshëm në krye të kryeqytetit do të jetë ai që do ta ketë besimin e pjesës më të madhe të intelektualëve kryeqytetas, sepse këtu është përqendruar truri i gjysmës së kombit në përgjithësi. Pra, është e pakapshme që t’i menaxhojë një njeri i cili e ka shkallën e inteligjencës nën mesataren e pjesës dërmuese të votuesve, e ka paraqitjen publike primitive e të dhunshme që nuk është dhunti e intelektualit as e menaxhuesit subtil, që do të flasë në emër të artistëve, të intelektualëve dhe figurave të njohura publike para të huajve dhe para subjekteve qendrore.

Dhe mbi të gjitha, Prishtinën dhe pjesën më të madhe të qyteteve të Kosovës, të cilat jo rrallë sikur i kemi harruar, do t’i qeverisin ato personalitete a kryetarë të ardhshëm të cilët do të kenë aftësinë për të joshur votuesit e fjetur dhe ata të dëshpëruar të cilët në dy votimet e kaluara, sidomos në zgjedhjet e fundit lokale e parlamentare nuk dolën në votime. Dhe të gjithë ne e dimë kush ishin ata: në zgjedhje nuk dolën në pjesën më të madhe simpatizuesit, madje edhe militantët e LDK-së, sepse ishin tepër të zhgënjyer me partinë e tyre, ishin të zhgënjyer nga qeverisja e keqe, nga qarjet e brendshme, nga humbja që pësuan me vdekjen e liderit të tyre, Ibrahim Rugova. Shenjat janë se ata janë të gatshëm të aktivizohen me programe të mira dhe me ndershmëri personalitetesh.

Fushata e re filloi me një frymë të re, jokonformiste që ta kujton fushatën e pasluftës, kur kishte më shumë elanë, më pak konformizëm dhe më shumë vullnet për të fituar. Prishtina, sipas shumë njohësve të rrethanave politike e të disponimit të elektoratit kryeqytetas, tashmë është e fituar nga ata që e qeverisën në mandatin e kaluara. Elektorati i kryeqytetit ka gjasa që është rizgjuar më shpejt. Mbase me këtë votim që do të bëhet do t’ia japë edhe një shans partisë dikur më të madhe që të këndellet dhe të krijojë mekanizmat veprues, ndërsa është më shumë rëndësi që të përgatitet terreni për zgjedhjet e ardhshme qendrore pas dy vjetësh.

Fushata zgjedhore në Kosovë me gjithë ndërskamcat dhe pamfletet e ndryshme që hidhen në mënyrë klandestine, duke mos e pranuar pastaj autorësinë, ka filluar të bëhet interesante. Sharmi i këtyre zgjedhjeve është në radhë të parë që organizohen nga njerëzit tanë, të cilët nuk kanë ndonjë përvojë politike, por të jenë para sprovës më të madhe deri më tash.

Nuk do të merrem me autsajderët, kandidatë të partive politike të cilët në mungesë të një programi politik për të qenë, në mungesë të një koncepti politik për të udhëhequr kryeqytetin e Kosovës dhe me mangësi të shumta intelektuale e morale, përpiqen të peshkojnë në mangësitë e shpifura të personaliteteve. Nuk do të merremi as me pankartat e grisura, ndonjë zyrë e thyer, ndonjë presion a parregullsi të tjera, të cilat si të tilla janë të dënueshme për rregullat e lojës, mirëpo që nuk ka ndonjë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve. Në rezultatin e zgjedhjeve do të duhet të ketë ndikim vendimtar vullneti i elektoratit-votuesve, pra vullneti i tyre të mos nëpërkëmbet, të mos bëhen dredhira a manipulime të cilat jo vetëm do të ndikonin në rezultatin e fundit, jo vetëm se do të ndikonin që në të ardhmen njerëzit të dëshpëroheshin dhe nuk do të votonin më, duke rrezikuar zgjedhjet e ardhshme në përgjithësi, por do të humbisnim shumë para faktorit ndërkombëtar. Me ndonjë mashtrim eventual apo përpjekje marroqe për të manipuluar zgjedhjet do t’i bënim aq shumë dëm vetes saqë do ta kishim shumë të vështirë ta riparonim.

Kam përshtypjen që sivjet njerëzit do të dalin më shumë në votime, pikërisht sepse gjithë këtë proces e udhëheqin shqiptarët e Kosovës, sepse në disa mekanizma ndërkombëtarë patën filluar të dyshojnë aq shumë saqë thoshin se si votuam, si nuk votuam, ata do të nxjerrin rezultatet, të cilat u shkojnë për shtat atyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›