Ndikimi i krizës në ekonominë shqiptare

Gjatë vitit 2009, ekonomia shqiptare është ndikuar nga kriza ekonomike e financiare botërore, kryesisht si pasojë e pakësimit të kërkesës së huaj dhe të remitancave, e rritjes së primeve të rrezikut dhe e një mbështetjeje financiare të reduktuar e me kosto më të lartë
Nga Ardian Fullani*
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i mbledhur sot më datë 28 tetor 2009 pasi analizoi në detaje zhvillimet më të fundit ekonomiko financiare në vend, projeksionet makroekonomike si dhe balancën e rreziqeve për muajt në vazhdim, vendosi të ulë me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas kësaj uljeje, kjo normë shkon në nivelin 5.25 për qind.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundimin se tremujori i tretë i vitit 2009 është karakterizuar nga shenja pozitive në ekonominë dhe në tregjet financiare shqiptare. Në veçanti, tremujori i tretë shënoi një pikë kthese në drejtim të rikthimit të besimit në sistemin bankar. Stabilizimi i situatës së likuiditetit, ruajtja e qëndrueshmërisë financiare dhe e treguesve të kapitalizmit të këtij sistemi, përbëjnë një platformë solide për rigjallërimin e rolit të tij ndërmjetësues dhe financues të ekonomisë. Së bashku, me tendencat e fundit pozitive të ekonomisë botërore, të cilat mbeten ende të brishta, për nga natyra dhe qëndrueshmëria e tyre, këto zhvillime na nxisin ta shohim aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit nën optikën e një optimizmi të kujdesshëm.
Gjatë vitit 2009, ekonomia shqiptare është ndikuar nga kriza ekonomike e financiare botërore, kryesisht si pasojë e pakësimit të kërkesës së huaj dhe të remitancave, e rritjes së primeve të rrezikut dhe e një mbështetjeje financiare të reduktuar e me kosto më të lartë. Megjithatë, ekonomia jonë vazhdoi të shënojë rritje ekonomike pozitive gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste mbeten të kontrolluara.
Aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur nga stimuli fiskal dhe ruajtja e niveleve relativisht të larta të kërkesës konsumatore, ndërkohë që investimet dhe kërkesa për eksporte kanë shënuar rënie gjatë nëntëmujorit të parë të vitit.
Në rrafshin botëror, tremujori i dytë i vitit 2009 dhe periudha në vazhdim janë karakterizuar nga tendenca stabilizuese në drejtim të aktivitetit ekonomik. Ndonëse në terma vjetorë ekonomia botërore vazhdon të tkurret, cikli i zëvendësimit të inventarëve të konsumuara muajt e fundit vendosi një dysheme në rënien e ekonomive të Eurozonës dhe të SHBA-së. Për më tepër, ky cikël ka shërbyer edhe si katalizator afatshkurtër i riaktivizimit të sektorëve të tyre industrialë e prodhues. Në një këndvështrim më afatgjatë, aktiviteti i qëndrueshëm ekonomik i vendeve aziatike, veçanërisht i Kinës, si dhe rritja e tregtisë botërore do të shërbejnë si mbështetës të rritjes ekonomike botërore. Megjithatë, rruga e ekonomisë botërore drejt një rritje të shëndetshme dhe të qëndrueshme është e gjatë. Modeli ekzistues i ekonomisë botërore është mbështetur në konsumin e lartë dhe bilancet e rënduara me borxhe të ShBA-së, përkundrejt një strategjie të vendeve aziatike që favorizon eksportet dhe kursimet. Adresimi i këtyre imbalancave në nivel botëror do të kërkojë kohën e vet, duke u shoqëruar me rritje ekonomike nën potencial dhe presione të reduktuara inflacioniste për një periudhë relativisht të gjatë kohe.
Sistemi financiar botëror, tregjet e kapitalit, sektori bankar dhe ndërmjetësit e tjerë financiare, duket se po rigjallërohen.
Stimuli monetar dhe fiskal në rang botëror e ka dhënë efektin e vet, duke ndihmuar më së pari rikapitalizimin e sistemit financiar dhe rivënien në punë të sistemit të kreditimit. Megjithëse ndër agjentët financiarë, perceptimi i rrezikut mbetet i lartë ndërkohë që gatishmëria për rrezik mbetet e ulët, rifillimi i qarkullimit të flukseve financiare botërore do të ndihmojë ekonomitë e vendeve në zhvillim nëpërmjet rritjes së fondeve të disponueshme.
Përballë zhvillimeve problematike në kontekstin botëror, ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje ekonomike pozitive gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2009. Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga INSTAT, rritja vjetore e Produktit të Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të dytë të vitit ishte 5.3 për qind, duke ruajtur përafërsisht të njëjtin ritëm me atë të tremujorit të parë. Aktiviteti në sektorët e shërbimeve dha kontributin më kryesor në rritjen e PBB-së. Sektori prodhues i ekonomisë ndikoi gjithashtu në rritjen vjetore të PBB-së, kryesisht si rezultat ecurisë së aktivitetit të ndërtimit, ndërsa aktiviteti industrial thelloi ritmet rënëse të nisura nga fillimi i vitit 2009.
Tendenca e rritjes ekonomike, ndonëse në përmasa më të reduktuara, është e lexueshme edhe në disa tregues të tërthortë të ekonomisë, si rritja e të ardhurave buxhetore, rritja e kreditit për ekonominë dhe stabiliteti i treguesve të tregut të punës. Megjithatë, treguesit e sipërcituar, dhe veçanërisht ata monetarë dhe të besimit të biznesit dhe të konsumatorëve, pasqyrojnë një ngadalësim të ritmit të rritjes së ekonomisë krahasuar me vitin e shkuar.
Në kontekstin makroekonomik, ky ngadalësim reflekton më së shumti reduktimin e investimeve dhe të kërkesës së jashtme, ndërkohë që konsumi dhe shpenzimet publike kanë patur një ndikim në kahun rritës të aktivitetit ekonomik.
Megjithëse pozitive, ecuria ekonomike e gjashtëmujorit të parë të vitit reflekton një ngadalësim prej rreth 1.4 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Një situatë e tillë, krahas dobësimit të përgjithshëm të presioneve globale inflacioniste, është përkthyer në rënie graduale të presioneve inflacioniste në ekonominë e vendit. Inflacioni mesatar për periudhën janar shtator 2009 shënoi vlerën 2.0 për qind, duke pasqyruar plotësisht eliminimin e efekteve të raundit të parë të shkaktuara nga rritja e çmimeve të lëndëve të para gjatë periudhës 2007-2008 si edhe shuarjen e efekteve të rritjes së fundit administrative të çmimit të energjisë elektrike. Prirja në rënie e inflacionit bazë dhe e atij të mallrave dhe të shërbimeve të sektorit të patregtueshëm të IÇK-së, tregojnë se presionet inflacioniste të gjeneruara nga krahu i kërkesës së brendshme janë në rënie. Nga ana tjetër, lëvizjet relativisht të forta në kahun nënçmues të monedhës vendase gjatë vitit 2009, kanë ndikuar në prirjen rritëse të inflacionit të sektorit të mallrave të tregtueshme, i cili arriti në rreth 3.1 për qind në tremujorin e tretë. Zhvillimet në tregun e punës dhe në paga, nuk sinjalizojnë shtim të presioneve të ardhshme inflacioniste nga krahu i ofertës. Norma e papunësisë gjatë pjesës së parë të vitit 2009 rezultoi rreth 12.7 për qind, duke qëndruar në nivelin e fundvitit të kaluar. Për të njëjtat periudha krahasuese, ritmet e rritjes së pagës mesatare reale në ekonomi kanë qenë më të përmbajtura.
Parashikimet e Bankës së Shqipërisë si edhe ankorimi i pritjeve të agjentëve ekonomikë për çmimet e konsumit, mbështesin ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit të çmimeve të konsumit në një horizont afatmesëm kohor, të shprehur në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme inflacioni.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, deficiti i llogarisë korente regjistroi një ngushtim të lehtë, prej rreth 1 pike përqindjeje, në terma vjetorë. Ky ngushtim pasqyron një ngadalësim si të importeve ashtu edhe të eksporteve të ekonomisë, ndërkohë që remitancat kanë regjistruar një reduktim relativisht më të ulët se në tremujorët paraardhës. Megjithatë, deficiti i llogarisë korente mbetet ende në nivele të larta duke reflektuar konsumin e lartë të ekonomisë shqiptare dhe pamundësinë e kapaciteteve prodhuese në vend për tiu përgjigjur atyre. Të ardhurat e privatizimit dhe huamarrja në valutë e sektorit publik gjatë kësaj periudhe kanë bërë që bilanci i pagesave të rezultojë pozit