E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, KLD-së: Na ndihmoni me gjyqtarë për Shullazin



“Shkrihen” në një Krimet e Rënda dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Shkak është bërë konsumimi i gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, të cilët prej disa kohësh janë duke gjykuar bashkërisht ose edhe jo, mjaft çështje të bujshme që i përkasin kësaj gjykate. Madje, muaj pas muaji shtohet numri i gjyqtarëve penalistë të gjykatës së kryeqytetit që delegohen pranë gjykatës së krimeve, për të gjykuar bashkë apo dhe me një pesëshe gjykuese vetëm penalistë të Shkallës së Parë, dosje si “Banda e Lushnjes” apo dhe tashmë Emiljano Shullazin e Ervin Ferhatin. Për këtë të fundit, dje gjatë një seance, Krimet e Rënda kërkuan ndihmë nga KLD, duke kërkuar plotësim me gjyqtarë për çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi dhe Ervin Ferhati, pasi janë konsumuar gjyqtarët e tjerë. Për këtë dosje kanë ngelur vetëm tri gjyqtarë pa u konsumuar nga dy të pandehurit, duke kërkuar ndihmë nga kolegët e gjykatës së zakonshme të Tiranës, të cilët më parë kanë gjykuar gjithë bandat e rrezikshme që kanë operuar në vend gjatë trazirave të vitit 1997. Nuk është hera e parë që Gjykata e Krimeve të Rënda gjendet përballë një situate të tillë, pasi prej disa muajsh pranë kësaj gjykate janë afruar për të gjykuar çështjet e organizatave kriminale dhe bandave famëkeqe, gjyqtarë të seksionit penal dhe civil të Gjykatës së Tiranës. Tashmë, edhe gjyqtarët penalistë të Gjykatës së Tiranës, të deleguar nga KLD pranë Krimeve të Rënda, janë konsumuar totalisht nga “Banda e Lushnjes”, duke iu drejtuar seksionit civil për të plotësuar trupat gjyqësore. Taktikat e avokatëve në bashkëpunim me klientët e tyre, si dhe rikthimet e çështjes për gjykim disa herë apo kërkesat për përjashtim të trupit gjykues ka sjellë që për disa çështje të jenë konsumuar tre trupat gjyqësore me nga pesë gjyqtarë që ka si organikë Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Shullazi dhe Ferhati u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Apelit, ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e tyre. Shorti i ra gjyqtares Marsela Balili, për të gjykuar çështjen, mirëpo, gjatë caktimit të trupës gjyqësore rezultoi se pjesa më e madhe e tyre ishin konsumuar nga dy të pandehurit. Po e njëjta gjë ka ndodhur me dy trupat e tjera gjyqësore, duke rezultuar se vetëm tri gjyqtarë i kanë “shpëtuar” përballjes me Shullazin e Ferhatin, për të qenë tashmë pjesë e trupës gjyqësore që do i gjykojë për së dyti. Tashmë, pritet që KLD të delegojë dy gjyqtarët që do plotësojnë trupën gjyqësore, ndërkohë që përfshirja e gjyqtarëve të Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës në gjykimin e këtyre çështjeve, prej disa muajsh duket sikur i ka shkrirë në një dy gjykatat. Sipas prokurorisë, Shullazi dhe Ferhati kanë drejtuar një organizatë kriminale që trafikonte heroinë nga Turqia drejt Italisë, duke kaluar tranzit nëpër Shqipëri. Në konkluzionet përfundimtare pala e akuzës pretendoi faktimin e 4 prej këtyre episodeve të kryera gjatë vitit 2004. Zbardhja e trafikut dhe të emrave të anëtarëve të tjerë të përfshirë në të, është bërë në bazë të përgjimeve telefonike të kryera nga prokuroria. Sipas Prokurorisë, furnitori i Shullazit dhe Ferhatit ishte një shtetas turk, ndërsa korrierët ishin shtetas kosovarë, shqiptarë dhe kroatë. Bëhet e ditur se totali i lëndës narkotike heroinë dhe përzierës të trafikuar arrin në masën e 150 kilogramëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›