Robben-Shaqiri, dueli fillon

Tashmë ka filluar edhe zyrtarisht dueli ndërmjet Arjen Robbenit dhe Xherdan Shaqirit për një vend në formacionin bazë tek Bayern Munich. Mesfushori holandez i është bashkuar ekipit, pas eksperiencës që pati në ‘Euro 2012’.
Mesfushori kosovar nuk i frikësohet shumë konkurrencës. Ai thotë se në futbollin e sotëm nuk shikohet emri, por angazhimi i një lojtari në fushë. “Mbi të gjitha, ai është shok imi i skuadrës. Ai që është më në formë në stërvitje do të luajë”, theksoi Shaqiri për ueb faqen 20min.ch.
20 vjeçari thotë se mund të luajë në krahun e majtë apo në atë të djathtë, por edhe prapa sulmuesve. Ai shton se është lojtar që i pëlqen të rrezikojë dhe e pëlqen futbollin ofanziv, ku mund të shënojë dhe të dhurojë topa për shokët e skuadrës. Atij gjithashtu i pëlqen të dhurojë ‘show’. Ndeshja e parë zyrtare e Shaqirit do të jetë ajo e 25 gushtit në Bundesliga ndaj Greuther Furthit.