Robin Tenison, një rrëfim për Shqipërinë e zbuluar me kuaj
Dy vjet më parë shëtitën me kuaj deri në skaje të Shqipërisë. Panë dhe shënuan gjithçka gjatë rrugëtimit me kuaj. Shkrimtari britanik, Robin Hanbery Tenison, dhe bashkëshortja e tij, Louella, ishin nisur në një mision eksplorimi. Viset që shkelën, netët e kaluara në vatra të fshatarëve ku ngrihen gotat e rakisë, mikpritja dhe përjetimet e këtij udhëtimi i kanë hedhur në një libër. Botimin e kishin paralajmëruar që në nisje. "Vendi i Shqiponjave; me kuaj përmes vendit të harruar të Europës"(shtëpia botuese "Tauris") është promovuar në datën 13 korrik në Royal Geographic Society në Londër, një nga qendrat më prestigjioze të eksplorimeve, e cila prej vitesh me radhë financon eksplorime në vende të ndryshme të botës. Shqipëria e turizmit, e kulturës, e një populli mikpritës, e një vendi që për vite me radhë është veshur me misteriozitet përballë publikut të huaj, gjendet në faqet e këtij libri. "Dua t‘u tregoj njerëzve realisht se kush është Shqipëria dhe pse duhet ta duan ata...", thoshte Robin në shtator të 2007-ës, kohë kur nga Thethi nisën aventurën e tyre. Gruaja e tij do të përshkruante me detaje mëngjesin e parë në këtë vend malor. Në vazhdim edhe ndalesat e paparashikuara gjatë udhëtimit njëvjeçar. "...ndjehej dashamirësia e popullsisë rurale, të cilët të ofronin bukë të ngrohtë, djathë të bardhë të kriposur, dhallë dhe raki", shënonte Louella në ditarin e saj. Çifti Tenison ka përshkuar shumë shtete të tjera para se të mbërrinin te ne. Kanë ecur nëpër Murin e Madh kinez, në Zelandën e Re, në Spanjë, kanë shkuar në shkretëtirë e në shumë skaje të tjera të botës. Për çdo rast kanë shkruar nga një libër. Në rrugëtim e tyre në viset shqiptare, Theth, Lurë, Shkodër, Librazhd, Korçë, Gjirokastër, Tepelenë deri në skajet jugore, u shoqëruan edhe nga regjisori amerikan, Mickey Grant, i cili gjatë gjithë kohës fiksoi në kamera aventurën e tyre. Me materialin e përzgjedhur u realizua filmi dokumentar "Vendi i Shqiponjave", konkurrues edhe në seksionin e dokumentarëve në Festivalin e Kanës. Kur vendosi të shkelte e të shihte nga afër territorin shqiptar, Robin Tenison e kishte krijuar një përfytyrim për këtë vend. Shënimet e udhëtarëve të dekadave më parë e kishin intriguar së tepërmi. Edith Durham, Lord Bajron, Martin Leak rrëfenin për vende, njerëz e zakone që e çudisnin. Ky eksplorator i shekullit XXI u mundua të ecte në gjurmët e tyre. Madje libri ka një përkim interesant, ndoshta edhe më shumë i llogaritur me 200-vjetorin e zbritjes së Bajronit në vendin tonë. Ishte i gëzuar që Shqipëria kishte kaq shumë rrugë të pashtruara, të përshtatshme për ecjen me kalë. Në pjesë të këtij udhëtimi u shoqëruan edhe nga Auron Tare, i cili bashkëpunoi edhe me aktorin e njohur Rupert Everet për një dokumentar mbi Bajronin. Që herët, kur kishin hedhur pjesë shënimesh në sajtin e tyre zyrtar, njerëzit komentojnë dhe interesohen për këtë aventurë shqiptare. Aty Tenison ka hedhur edhe ekstrakte të shënimeve e përshtypjeve të mbajtura gjatë udhëtimit. Pas lajmit prezantues të botimit të librit, komediani Michael Palin, tashmë drejtuesi i ri i Royal Geographic Society, shkruan: "Shqipëria mbetet një nga vendet më misterioze në Europë. Robin dhe Louella Hanbury Tenison kanë udhëtuar në këtë vend në një mënyrë që unë i kam shumë zili. Vetëm me kuaj, në një udhëtim në të cilin kanë pasur mundësi që të shohin stereotipet e vendit, dhe të shohin bukurinë dramatike dhe unike të traditave të trashëguara", shkruan Palnio. Çifti Tenison nuk do të jetë i fundit që do të vizitojnë e do të ndërmarrin aventura nëpër Shqipëri. Rrëfimet e tyre u shtohen zërave që promovojnë sot Shqipërinë turistike, një vend i njohur më së pari përmes shënimeve të udhëtarëve të shekujve të shkuar, por njëkohësisht i panjohur e i pashkelur për shkak të diktaturës 50-vjeçare. Vitet pas ‘90 kanë zgjuar interesin e të huajve për këtë vend, i përshkruar mes kontradiktash. Një pjesë e mirë i kanë kushtuar edhe libra, si një dëshmi nga Shqipëria e tranzicionit, që breza të tjerë ndoshta do ta gjejnë ndryshe.