E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e skulptorëve të rinj

Ata kanë ngacmimet e tyre artistike. Të përkthyera në vepra arti, skulpturë, kërkojnë hapësirat e komunikimit me publikun. Trembëdhjetë artistë të rinj janë takuar në një ekspozitë të përbashkët që mban titullin "Në kërkim të skulpturës së re". Është çelur në "Galerinë e vogël", me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Një pjesë e tyre vazhdojnë ende studimet në Akademinë e Arteve, të tjerë të sapodiplomuar i bashkon nxitja për të krijuar. Të përzgjedhur nga kuratori Gentjan Tabaku, i cili ka ndjekur zhvillimin e tyre nga pozicioni i asistentpedagogut në degën e skulpturës, kanë ekspozuar secili nga një vepër. Nudo, vazo, tors, një skulpturë e abstraguar, të tjera pa titull, shprehin edhe zhvillimet apo tendencat e fundit të skulpturës në Shqipëri. "Ky projekt është një përpjekje për të evidentuar këto tendenca. Fakulteti i Arteve të Bukura në Akademinë e Arteve luan një rol të rëndësishëm në kultivimin e artistëve të rinj, ku skulptura zë një vend të rëndësishëm. Kjo është një mundësi e evidentimit të krijimtarisë së këtyre të rinjve, një prezantim i tyre me publikun, duke pasur parasysh një klimë artistike ku skulptura zë një vend më të vogël prezantimi në krahasim me gjinitë e tjera të artit", shprehet Tabaku. Kjo ekspozitë është e dyta e këtij lloji, në vijim të ekspozitës së organizuar disa vite më parë në "Galerinë e vogël" me titull "Skulptura e re në Shqipëri". Si murator ai ka përzgjedhur artistët më kreativë, të cilët ngacmimet apo problematikat e realitetit i kanë shprehur në skulpturë, realizuar në qeramikë, dru, allçi, duke e bërë edhe më të larmishme këtë ekspozitë. "Skulptorët e rinj kanë shumë për të thënë. Ata kanë mënyrën e vet për të shpallur të vërtetat e tyre, mënyrë kjo që është shprehje e një diversiteti, në gjuhë konceptuale dhe teknika të larmishme. Qëllimi ynë është që këto të vërteta, të dhëna me mjete vizuale, t‘i prezantohen publikut shqiptar", shprehet Tabaku. Sipas tij, kjo do të ndihmonte që jo vetëm të përcillnin një mesazh artistik me veprat e tyre, por në të njëjtën kohë të përftonin edhe ata vetë një mesazh nga publiku mbi atë çka prezantojnë. Kjo do t‘i ndihmonte dhe nxiste më tej në krijimtari. Kuratori shprehet se do të synojnë që kjo ekspozitë të kthehet në një aktivitet të përvitshëm, një hapësirë që do t‘u japë mundësi promovimi artistëve të rinj të skulpturës. Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri më datën 21 korrik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›