E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robin van Perfekt

Ndikimi i menjëhershëm i përforcimit të ri Robin van Persie e kënaq menaxherin e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson. Strategu skocez lavdëroi paraqitjet e para të holandezit, i cili me het-trikun e tij udhëhoqi ekipin drejt fitores 3-2 në udhëtim te Southampton. Van Persie ka shënuar katër herë në tri xhirot e para në Premierligë, pas largimit nga Arsenali.

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson e përshkroi ndikimin e Robin van Persiet si të “jashtëzakonshëm”, pasi sulmuesi realizoi het-trik kundër Southamptonit të dielën. 29 vjeçari humbi një penallti, goditja e tij u prit nga Kelvin Davis, por shënoi të gjithë golat në fitoren e Unitedit me rezultat 3-2 në St Mary’s.

“Goli i tij i parë ishte i mrekullueshëm, kontrolli e më pas shënimi. Ishte vërtetë një gol i bukur”, deklaroi Ferguson. “Edhe goditja me kokë ishte e shkëlqyeshme gjithashtu, ai është shfaqur jashtëzakonisht mirë prej kur erdhi tek ne”, u shpreh strategu skocez.

Reprezentuesi holandez, i cili erdhi në Old Trafford nga Arsenali për 24 milionë funte më herët gjatë afatit kalimtar të verës barazoi për mysafirët pasi Rickie Lambert kishte kaluar Southamptonin në epërsi.

Por, United ishte sërish në disavantazh kur Morgan Schneiderlin realizoi me kokë pak para përfundimit të pjesës së parë. Van Persie pati mundësi të barazojë sërish rezultatin në minutën e 69-të por ai nuk realizoi nga penalltia. Kur mendohej se ai mund të fajësohej nëse skuadra nuk arrin të nxjerr pikë nga udhëtimi në Southampton, Van Persie realizoi dy herë në tre minutat e fundit për fitoren e Unitedit.

“Isha i befasuar me penalltinë e Van Persiet sepse sa herë e kam përcjell duke goditur një penallti ai i qëllonte fuqishëm ato në qoshe”, tha Ferguson. “Por, ai e kompensoi gabimin. Pati gjashtë tentime në portë dhe ishte kërcënim i vërtetë.

Por, ne nuk luajtëm mirë deri kur Paul Scholes u inkuadrua në lojë, duhet pranuar. Mendoj se ai e ndryshoi rrjedhën e lojës. Ne punuam gjithë javën për të neutralizuar fuqinë e Southamptonit në lojën me krosime dhe ata shënuan dy herë nëpërmjet tyre. Duhet ti lavdërojnë për këtë. Por, Scholes u inkuadrua dhe stabilizoi lojën, me pasimet e tij u bë dallimi”, përfuindoi Ferguson.

Van Persie i cili kishte shënuar golin e tij të parë për Unitedin në fitoren e një xhiroje më parë ndaj Fulhamit, tani ka realizuar katër herë në dy paraqitje si titullar pas largimit nga Arsenali. “Ishte ndjenjë e mirë pas takimit”, tha sulmuesi.

“Por, më vjen keq për penalltinë. Kur ndodhë ajo te disavantazhi 2-1, nuk duhet ekzekutuar në atë mënyrë. Diçka më shkoi gabim. Por, më duhet ti them faleminderit Paul Scholesit, çdo pasim i tij ishte i saktë. Ai ishte i jashtëzakonshëm. Për mua, Scholes ishte futbollisti i takimit”, deklaroi Van Persie.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›