Robinho dëshiron t’i fitojë të gjitha

Ekipi nga San Siro i ka fituar vetëm dy ndeshje nga gjashtë të zhvilluara në Kampionatin italian këtë sezon, por përfaqësuesi brazilian beson se gjërat do të përmirësohen shumë shpejt.
“Janë disa ekipe në Itali ndaj të cilave është vështirë të fitosh. Mirëpo, me gjithë respektin, nëse luajmë me të njëjtin ritëm si sezonin e kaluar, mund ta fitojmë sërish titullin. Nuk e di nëse jemi më të fortë se vitin e kaluar, por është e qartë se jemi të fortë. Ky është vetëm fillimi i sezonit, kanë për t’u luajtur edhe shumë ndeshje dhe ne duhet të vazhdojmë të luajmë si me Palermon”, theksoi Robinho për Sky Sport Italia.
Ai e shënoi njërin nga tre golat e Milanit në fitoren 3:0 ndaj ekipit sicilian. Ish-futbollisti i Santosit, Real Madridit dhe Manchester Cityt, është i bindur se Milani mund të jetë edhe më i suksesshëm këtë vit.
“Kur luan në Milan, nuk ke një objektiv të prerë. Duke e parë kualitetin e skuadrës, mendoj se mund ta fitojmë Scudetton dhe Ligën e Kampionëve. E di se nuk do të jetë e lehtë, por ëndërr e jona është të fitojmë gjithçka”, përfundoi Robinho.