E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robinjo-Pato po ikin

E gjitha kjo shumë shpejt mund t’i përkasë të shkuarës. Ndoshta që në janar, Milani do të duhet të ndahet nga dy prej yjeve të tij më spektakolarë, brazilianëve Robinjo e Pato.
Adriano Galiani ka pohuar se do të niset shumë shpejt për në Brazil, në një udhëtim pune, ndërsa dy lojtarët kanë admirues në vendin e tyre.
Robinjo kërkohet nga Santosi, klubi i Nejmarit, ndërsa duket se aventura e tij europiane po merr fund një herë e mirë. Real Madrid, Mançester Siti dhe Milan nuk janë keq, veçse braziliani besohet se nuk përmbushi gjithçka pritej prej tij.
Barbara, vajza e Berluskonit mesa duket do të mbetet pa Paton e saj. i shpejtë, i talentuar dhe tepër simpatik, Pato mund të quhet një nga më të pafatët lojtarë që kanë veshur ndonjëherë fanelën e Milanit.
Korinthians do të jetë e ardhmja e tij, pra Brazili. Golat e shkëlqyer dhe dashuria nuk munguan në “San Siro” e “Milanelo”, por dëmtimet ishin më të fortë sesa ai.
Pra, nuk mjaftoi vera e tmerrshme kur u larguan yjet e mëdhenj, Ibra e Tiago Silva. Janari me shumë gjasa do ta lerë Milanin pa një pjesë tjetër të historisë së viteve të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›