Kaos tek Reali

Stadiumi i Malagës nuk e priste. Veçse, lojtarët e Realit të Madridit që po dilnin në fushë e dinin, madje prej ditësh. Zhoze Murinjo shkoi drejt stolit si në çdo ndeshje tjetër të karrierës së tij si trajner, veçse habia e tronditja ishte e plotë kur aty u ul edhe ai, kapiteni, portieri dhe idhulli i shkëlqyer, Iker Kasijas.
Ç’kishte ndodhur? Aty në impiantin e Malagës binte erë luftë.
Presidenti i plotfuqishëm Florentino Perez u kap mat nga fotografët ndërsa tregonte habitjen e tij kur lexohej formacioni i Realit për këtë ndeshje.
Në fushë lojtarët dhanë atë që menduan se ishte gjithçka e tyre, veçse nuk mjaftoi. Tronditja dukej qartë në fytyrat e tyre. Mjaftonte të shiheshin Kristiano Ronaldo apo ylli tjetër, Mesut Ozil.
Tek Murinjo tensioni dukej qartë, ndonëse përpjekja ishte maksimale për ta fshehur.
Portieri Adan, ai që zuri vendin e Kasijasit, duhet të ketë ndjerë presion të pafund, ndërsa ishte krejt pa faj.
Humbja 2-3 dhe diferenca ndaj Barçës, tani plot 16 pikë, thjesht e rënduan edhe më shumë gjendjen. Në rrezik edhe vendi i dytë, pasi Atletiko është 7 pikë larg.
Menjëherë pas ndeshjes, sondazhet në media ishin të qartë. Gazeta “Marka” pyeti: E drejtë apo jo kjo me Kasijasin? Mbi 80 për qind e rreth 37 000 votuesve u përgjigjën “Jo”.
Vendim teknik apo disiplinor, ishte pyetja e gazetës tjetër të Madridit, “As. Përgjigja e 44 mijë vetëve ishte e qartë: Disiplinor.
Deri edhe kapiteni i dytë, Sergio Ramos lëshoi fjalë kritike, ndërsa legjenda si Valdano apo Guti ishin krejtësisht kundër trajnerit.
Çdo të ndodhë tani me Murinjon. Ai vetë nuk do të japë dorëheqje, por largimi i tij duket vetëm çështje kohe.