Trajneret e Bundesliges

Ky kampionat ka thuajse gjithçka. Spektakël, publik nga të gjitha moshat, festë e gëzim si dhe lirshmëri që lejon çdo gjë të bukur.
Stadiumet e Bundesligës nuk braktisen as kur reshjet janë si bombardim dhe gjyqtari është i detyruar të dorëzohet.
Natyrisht, ky kampionat ka edhe para, diçka që gjenerohet krejt logjikshëm nga teatri i futbollit, një nga shfaqjet më të bukura.
Përveç futbollistëve, nga këto para gëzohen edhe trajnerët, të cilët në Gjermani janë nga më të paguarit e Europës.
Ai që e ka xhepin më plot nga të gjithë është Jup Hajnkes, trajneri i Bajernit që fiton 5 milionë euro në sezon.
E ndjek pas një zotëri që ka lënë gojëhapur kontinentin. Jurgen Klop i Dortmundit kampion fiton vetëm gjysmën, 2.5 milionë euro në vit, diçka që do ta shtojë në të ardhmen.
Në vendin e tretë në këtë klasifikim është një trajner i vjetër. Tomas Shaf, pasardhës i Oto Rehagelit tek Verderi, shpërblehet për karrierën dhe fiton 2 milionë euro në edicion.
Të tjerët janë poshtë 1.5 milionëshit. Lysien Favre i Mynshengladbahut paguhet kaq, po ashtu si Bruno Labadia i Shtutgartit apo Armin Feh i Frankfurtit.
Torsten Fink merr 1.4 milionë tek Hamburgu, ndërsa Mirko Slomka i Hanoverit arrin në 1.2 milionë. Ata që mbahen deri tek 1 milionëshi janë Hupia i Leverkusenit dhe Kurc i Hofenhajmit.
Të tjerët, që nga Heking i Nyrembergut e deri tek Jens Keler i Shalkes janë më poshtë. Madje, ky i fundit fiton vetë 240 mijë euro në sezon.