Sejdiu, mesazh Papës: "Vatikani të njohë Kosovën"
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar Shenjtërisë së Tij, Papa Benediktit XVI urimet më të përzemërta. Presidenti Sejdiu, pasi ka shprehur edhe një herë falënderimet për kujdesin e vazhdueshëm të Papa Benediktit XVI dhe të Selisë së Shenjtë, i është lutur Shenjtërisë së Tij, që ta ketë parasysh kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës. "Njohja e Republikës së Kosovës nga Vatikani pritet me padurim nga i gjithë populli i Kosovës, i cili, si gjithmonë, është shembull i rrallë i bashkëjetesës, i harmonisë dhe i tolerancës në mes njerëzve të etnive dhe besimeve të ndryshme. Ne në Kosovë lutemi që viti 2010, të cilin me dekret të veçantë e kam shpallur Vit të Nënës Terezë, bashkë me Katedralen me emrin e saj, që do ta hapim në Prishtinë, të na sjellë edhe bekimin e vendit tonë nga Ju Ati i Shenjtë dhe nga Selia Juaj", thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Sejdiu.