Prishtina, gati të hyjë në Mitrovicën e Veriut
Qeveria e Kosovës ka nisur hapin e parë serioz për të marrë në dorë administrimin e Mitrovicës Veriore që banohet kryesisht nga serbët, e cila që prej vitit 1999 drejtohet ende nga struktura paralele që financohen nga Beogradi. Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare(ICO) këmbëngulin në krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore, megjithëse disponimi i qytetarëve të kësaj pjese për të zbatuar Planin e Ahtisarit është i zbehtë. Të dy këto institucione besojnë se Mitrovica Veriore do të krijohet dhe zgjedhjet do të mbahen në muajin maj, ndërsa politikanët serbë të kësaj pjese përjashtojnë këtë mundësi. Një rritje e interesimit të qytetarëve serbë të Mitrovicës për t‘u bërë pjesë e ekipeve përgatitore për krijimin e komunës veriore të Mitrovicës, rrit shpresat në qeveri dhe në ICO, se projekti i decentralizimit do të zbatohet edhe në këtë pjesë. Ministria e Pushtetit Lokal dhe Zyra Civile Ndërkombëtare kanë rishpallur konkurs për anëtarë të ekipeve përgatitore komunale për veriun e Mitrovicës. "Ne kemi shpallur konkursin në fillim të vitit, por që nga zgjedhjet lokale të nëntorit ka pasur një interesim të shtuar nga njerëzit që jetojnë në Mitrovicë, në Mitrovicën Veriore, kështu që vendosëm me qeverinë, që secilit që është i interesuar, t‘i jepet shansi për të marrë pjesë", shpjegon zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, arsyen e rishpalljes së konkursit. Por, kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviç, nuk është i sigurt se Plani i Ahtisarit do të zbatohet. Ai thotë se për gjashtë muaj nuk do të ketë gjasa që situata të ndryshohet, ndërsa, sipas tij, serbët, në mënyrë plebishitare kanë treguar se nuk i pranojnë institucionet e Kosovës, e as zgjedhjet që organizohen nga to. Ivanoviç jep një arsye tjetër për interesimin e serbëve për të qenë pjesë e ekipeve përgatitore për krijimin e Komunës së Mitrovicës. "Ekipet përgatitore nuk do të kenë kurrfarë efekti. Ata marrin pjesë për shkak të pagave të larta për kushtet e Kosovës dhe për 550 euro mund të ketë njerëz që do të paraqiten, por ata nuk do të kenë kurrfarë efekti në organizimin e zgjedhjeve dhe në lobimin për pjesëmarrje të serbëve në to", thotë Ivanoviç. Plani i Ahtisarit, që parasheh edhe decentralizimin, është pranuar në mjediset serbe në Kosovën Qendrore dhe kjo u dëshmua me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 15 nëntorit. Por, bojkoti i tërësishëm i zgjedhjeve në veri, sipas analistëve, lë të kuptohet se serbët e kësaj ane nuk e duan integrimin në shoqërinë kosovare. Pengesat më të mëdha thuhet se vijnë nga strukturat paralele serbe të sigurisë, të cilat kërcënojnë dhe frikësojnë qytetarët. Zëdhënësja e Ministrisë së Pushtetit Lokal, Lumnie Demi, pranon se depërtimi i institucioneve në veri është i vështirë. "Aty ku ka pasur qasje ministria dhe ICO-ja, procesi i decentralizimit ka ecur sipas planit të paraparë. Njëra nga pikat që do ta dëshmonte realizimin e këtij procesi, është edhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale, që dallon dukshëm nga zgjedhjet e kaluara", thekson Demi.
Në një analizë të bërë për procesin e decentralizimit, Instituti "KIPRED" ka vënë në pah sfidat në veri, duke thënë, madje, se Plani i Ahtisarit në këtë pjesë është i pazbatueshëm. Tashmë Graçanica, Ranillugu e Kllokoti, janë shndërruar në komuna me shumicë serbe, ashtu siç kërkon Plani i Ahtisarit. Edhe Novobërda ka përfituar duke zgjeruar territorin e saj. Por, kjo nuk ka ndodhur në Mitrovicë dhe në Partesh. Përderisa në Partesh thuhet se ka një klimë më solide dhe se zgjedhjet mund të mbahen në maj, Mitrovica është tregim tjetër. Presioni, sipas analistëve politikë, është shumë i madh ndaj qytetarëve të veriut, për shkak se, siç thuhet, Beogradi zyrtar synon ndarjen e kësaj pjese të Kosovës.