E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media gjermane, skeptike për kërkesën e Serbisë në BE

Paraqitja këto ditë e kërkesës zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE) nga ana e Serbisë gjeti një vend të gjerë edhe në median gjermane, shumë komente të së cilës, sidoqoftë, nuk janë "rozë" dhe kanë si emërues të përbashkët faktin se BE-ja nuk është e gatshme për probleme të reja që do të mund të sillte Serbia. Një nga gazetat kryesore të përditshme gjermane "Frankfurter Algemajne Cajtung", në një koment të saj lidhur me këtë çështje, vinte në dukje se kërkesa e Serbisë shkaktoi reagime të ndara në BE. Kandidaturën e saj e mbështesin Greqia, Italia dhe Spanja, por kanë rezerva Gjermania, Britania e Madhe dhe Holanda. "Në përpjekjet e tij për ta stabilizuar Ballkanin pas luftës për trashëgiminë jugosllave, Bashkimi Europian u premtoi vendeve që u krijuan mbas shpërbërjes së Jugosllavisë, një ‘perspektivë europiane‘: mund të bëhen anëtarë të BE-së kur të përmbushin kriteret e përcaktuara në takimin e nivelit të lartë në Kopenhagë në vitin 1993. Këto kritere, sikurse dihet, janë institucione demokratike të efektshme, shteti i së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut", theksohet në komentin e kësaj gazete të mirënjohur gjermane, që vazhdon më tej: "BE-ja duhet të mendohet mirë se ku po futet. Është një çështje e rëndësishme nëse Serbia i përmbush tri kriteret e lartpërmendura jo vetëm nga ana formale, por edhe nga ana thelbësore. Simbol i defektit të shtetit juridik serb është paaftësia ose mungesa e gatishmërisë së tij për të kapur kriminelin e luftës, gjeneralin Ratko Mlladiç, dhe për ta dorëzuar atë në Tribunalin e Hagës. Me këtë rast, duhet të theksohet se në thelb nuk është fjala për personin në fjalë, por për qëndrimin që mbahet ndaj kësaj çështjeje: Duket qartë se një pjesë e madhe e popullsisë serbe, politikanë të lartë, parti të ndryshme dhe ushtria vazhdojnë ta konsiderojnë Mlladiçin si një hero serb. Nacionalizmi që e shndërroi rajonin në një fushë-betejë nuk është kapërcyer, me të kaluarën e errët në asnjë rast nuk janë larë hesapet, madje as sot e kësaj dite Parlamenti serb (Skupshtina) nuk ka kërkuar falje për masakrën e kohës së luftës në Srebrenicë". Duke vazhduar më tej, gazeta "Frankfurter Algemajne Cajtuang" shkruan: "Heqja dorë nga hipernacionalizmi është jashtë çdo dyshimi një kusht paraprak për anëtarësim në BE. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe problemi i Kosovës që ekziston si hipotekë në marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë. Që këto lloj problemesh nuk zgjidhen lehtë, ashtu sikurse do të dëshirohej, në këtë kuadër, këtë e tregon edhe shembulli i Qipros. Bashkimi Europian nuk duhet të importojë edhe një problem tjetër juridik ndërkombëtar. Së fundi, mbetet edhe kriteri i katërt i përcaktuar në Kopenhagë - mundësia që BE-ja të pranojë anëtarë të rinj. Ekziston pëlqimi i përbashkët se ajo (Serbia) ka nevojë për një periudhë të gjatë konsolidimi dhe kjo ka të bëjë si me shtrirjen, ashtu edhe me forcimin institucional. Dhe, në fund, shtrohet çështja nëse BE-ja synon të jetë më shumë sesa një zonë stabiliteti, për shembull, një aktor politik i aftë të ndërmarrë veprime?", thekson gazeta e lartpërmendur gjermane.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›