E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rog: Bastet ilegale, të dëmshme si dopingu

SHKRUAN: Jeton Selimi 03-03-2011 11:29

Në Lozanë janë mbledhur krerët e IOC dhe Interpolit, teksa presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin e tij, në lidhje me mafien e basteve

Bastet ilegale janë kthyer në problemin më të madh të sportit botëror, ndërsa organizatat kriminale qarkullojnë miliarda dollarë, madje duke trukuar edhe rezultatin e ndeshjeve. Ky shqetësim ka mbledhur për herë të parë në Lozanë të Zvicrës figurat më të mëdha të sportit botëror, ata të Interpolit dhe drejtuesit e kompanive të basteve. Bilancet e fundit flasin për shuma marramendëse, që organizatat kriminale përfitojnë në bastet ilegale, ndërsa presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rog, është shprehur se ekziston rreziku për manipulimin e kompeticioneve, që dëmton integritetin dhe besueshmërinë e sportit. "Bastet ilegale janë rreziku më i madh i sportit, madje tani është në të njëjtin nivel me dopingun. Kjo është mënyra e re e vjedhjes në sport. Nëse njerëzit nuk besojnë te rezultati i ndeshjeve, atëherë sporti rrezikon të humbë magjinë e tij”, ka thënë Rog. Mbledhja në Lozanë vjen pak kohë pas disa skandaleve të basteve që tronditën sportin botëror, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Ronald Nobël ka theksuar se mijëra njerëz në të gjithë botën janë të përfshirë në bastet ilegale. Organizatat më të mëdha kriminale, që organizojnë bastet ilegale, operojnë në Azinë Juglindore dhe Europën Lindore. Nuk përjashtohen vendet e zhvilluara në Europën Perëndimore, ndërsa në Itali dhe Gjermani janë në zhvillim dy procese gjyqësore, në lidhje me trukimin e ndeshjeve të futbollit.

Ky simpozium vjen në një moment kur Shqipëria futbollistike ndodhet nën shënjestrën e UEFA-s. Qeveria e futbollit kontinental ka marrë sinjalizime se në vendin tonë ndeshjet trukohen për llogari të basteve ilegale. Në vorbull janë përfshirë dy ndeshjet e javës së fundit të superligës, Shkumbini-Bylis 4-2 dhe Flamurtari-Elbasani 4-0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›