E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmes Mypas, drejt Evropës

Fidan Seferi ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me ekipin nga elita e futbollit finlandez, Mypa, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me ekipin FC Espoo. Futbollisti 24-vjeçar, këtë ekip e sheh si një urë lidhëse për vazhdimin e karrierës në një ligë më të fortë evropiane. Nga Moral Pozhegu më 21 dhjetor 2010 në ora 09:29

Paraqitjet e shkëlqyeshme në ligën e dytë finlandeze e kanë shpërblyer futbollistin kosovar, Fidan Seferi. Në fakt, sulmuesi 24 vjeç, me ekipin e tij FC Espoo sezonin e kaluar shënoi 13 gola, me ç’rast, ditë më parë nënshkroi kontratë njëvjeçare me ekipin e njohur nga elita e futbollit finlandez, Mypa.

Edhe pse pati oferta nga ekipet tjera nga Veikkausliga (liga e parë finlandeze) si AC Oulu dhe FC Rovaniem, ai vendosi t’i bashkohej ekipit të trajnerit Toni Korkeakunnas, me të cilin njihet mirë.

“Kam nënshkruar kontratë 1+1 me Mypa. Jam i lumtur që do të jem pjesë e këtij ekipi. E zgjodha Mypan sepse më ofroi kushtet më të mira nga katër ofertat që kisha nga liga e parë finlandeze dhe disa të tjera nga liga e dytë që kisha”, theksoi Seferi për Express.

Ai thotë se do ta japë maksimumin dhe do ta kërkojë rastin për të luajtur në përbërjen e parë, edhe pse e di se ka konkurrencë. Qendër sulmuesi i shkathtë, Mypan e sheh si një urë të mirë lidhëse me ekipet e mëdha evropiane.

“MyPan e zgjodha sepse e shoh si mundësi të mirë që të më ndihmojë për të luajtur në të ardhmen tek një ligë më e fortë dhe tek një ekip më i madh evropian. Këtë gjë e kanë bërë më parë edhe Sami Hyppia dhe Jari Litmanen”, përfundoi Seferi i cili luajti 3 vjet me FC Espoon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›