E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Rezoluta 1244 është zbatuar

Ambasadori Albert Rohan konsideron se do të ishte e logjikshme që Këshilli i Sigurimit të nxjerrë një vendim të ri për shkak se elementet kryesore të Rezolutës 1244 janë zbatuar.
Ish-Emisari në bisedimet për statusin e Kosovës ka komentuar kërkesën e Ministrit Skënder Hyseni që Këshilli i Sigurimit të zëvendësojë 1244-shin me një rezolutë të re.

Kjo kërkesë e Ministrit të Jashtëm të Kosovës është vlerësuar si "gabim strategjik" nga publicisti Veton Surroi.

Rohan thotë se në elementet kryesore të saj - ndalja e represionit ndaj popullit të Kosovës, largimi i forcave jugosllave të sigurisë, aranzhimet për një administrim të përkohshëm si dhe procesi politik për caktimin e statusit të Kosovës - Rezoluta 1244 është zbatuar.

"Kështu që do të ishte logjike që Këshilli i Sigurimit të pranojë këtë fakt me një vendim të ri. Kjo është ajo që ka potencuar në fjalimin e tij Ministri i Jashtëm Hyseni", ka thënë ai për gazetën Ekspress.

Megjithatë, njëjtë si ministri Hyseni, edhe ambasadori Rohan përmend faktin se çdo rezolutë në Këshillin e Sigurimit mund të aprovohet nëse nuk përdoret vetoja nga ndonjëri prej pesë anëtarëve të përhershëm. Duke marrë parasysh qëndrimin pro-serb të Rusisë, askush nuk pret që kërkesa për anulim të Rezolutës 1244 mund të kalojë në një të ardhme të afërt. Këtë e thekson edhe Ambasadori Rohan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›