E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja i hotelit: Trebicka erdhi i fundit, u largua pa gdhirë

Roja i hotelit “Akademia”, Çlirim Çelniku, rrëfen ardhjen dhe ikjen e mistershme të Kosta Trebickës nga hoteli

VOSKOPOJË- Orari i vonë dhe vetmia e Kosta Trebickës ka tërhequr vëmendjen e rojes së hotelit “Akademia”, ku ai ka kaluar natën e fundit. Çlirim Çelniku pohon për “Shekullin” se kishte për detyrë vetëm t’i shërbente, të tjerat nuk ishin përgjegjësi e tij. Pasi e ka shoqëruar me sy deri në hyrjen e hotelit, roja ka vazhduar punën e tij. Ndoshta ky detaj nuk do t’i bënte përshtypje, nëse miku i mistershëm nuk do të dilte nga hoteli ende pa gdhirë mirë. Roja i hotelit, i cili rezulton të jetë dëshmitari i fundit që e ka parë gjallë Trebickën pohon se i ka bërë shumë përshtypje ky nxitim i klientit. Një sjellje të tillë, rrallëherë e ka ndeshur tek klientët e këtij hoteli. Për gazetën “Shekulli”, Çlirim Çelniku rrëfen sesi e ka parë Kosta Trebickën dhe habinë për largimin e tij të shpejtë.

Kur ka ardhur në hotelin tuaj Trebicka?

Ka qenë ora 21 e mbrëmjes. Ndodhesha tek dera dhe psenuk prisnim të vinte njeri, pasi në këtë orë rrallë ndodh të kemi klientë. Në fakt, përveç orarit asgjë tjetër nuk më bëri përshtypje. Madje ishte errësirë dhe unë as që e kam dalluar mirë se kush ishte ky person. Dallova makinën e tij të kuqe, të cilën e parkoi përballë hyrjes së hotelit. Pastaj është futur në hotel, ku edhe ka bërë rezervimin dhe ka ngrënë darkë.

A keni parë ju që ai të shoqërohej me të tjerë njerëz, gjatë darkës?

Ishte krejtësisht vetëm dhe kjo më bëri pak përshtypje, pasi rrallëherë ndodh që njerëzittë vijnë vetëm këtu. Kryesisht ne kemi klientë familjarë që kalojnë fundjavat, megjithatë nuk e kam parë as të shoqërohej me ndokënd. Ka ngrënë darkë dhe ka shkuar të flejë në dhomën e tij.

A e keni parë më pas këtë klient? Kur është larguar që aty?

Ka dalë nga hoteli pa gdhirë dita. Mund të them rreth orës pesë.

Ishte i veshur me rroba gjuetie dhe është nisur fill pa i folur njeriu. Kjo ka qenë koha kur ka hyrë dhe ka dalë. Më tej nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur.

Po në mëngjes, a e njohët ju se kush ishte ky person?

Jo. Thashë se ishte një gjuetar që po del për gjueti, pastaj as që më interesonte. Puna ime është që të vëzhgoj këtu.

Vutë re ndonjë shqetësim apo ndonjë gjëtë veçantë tek ky klient?

Jo. Absolutisht jo, si gjithë të tjerët që vijnë këtu m’u duk. Përveç orarit që ka dalë që këtu, asgjë tjetër s’mu duk e dyshimtë. Po prapë, tani është sezon gjuetie dhe ndoshta në këtë kohë dalin gjithë gjuetarët e tjerë.

Kur e mësuat se ishte Kosta Trebicka?

Në fakt, shumë vonë. Ishin ata të policisë që më thanë. Deri në atë moment, as që e dija kush ishte dhe çfarë kishte ndodhur me të. Për mua ishte një klient si gjithë të tjerët.

A e keni parë këtë person herë tjetër në lokalin tuaj?

Jo. Jo vetëm kur e pashë si fytyrë, nuk më kujtoi ndonjë person të njohur, por edhe tani që e mësova emrin e tij jam i bindur se ai nuk ka qenë asnjëherë tjetër këtu.

Darka e fundit e Kosta Trebickës në hotelin e Voskopojës, si një gjuetar anonim. Libri i Teodor Kekos gjendet mbi komodinë

“Amaneti” mbitavolinën e Trebickës

Viktima ka fshehur identitetin e tij, nuk ka shkëmbyer fjalë me njeri dhe ka ngrënë i vetëm në lokal

VOSKOPOJË- Nëse nuk do të pasohej me një vdekje të mistershme, zor se kush do të merrte vesh udhëtimin e Kosta Trebickës në Voskopojë. Dëshmitari kyç i çështjes së Gërdecit nuk ka shkëmbyer fjalë me askënddhe mbi të gjitha, një emër i rremë, i dhënë në sportelin e hotelit ka mjaftuar për të ruajtur identitetin e tij të vërtetë.I vetmi person që pranon se ka folur me të, ka qenë një udhëtar i rastësishëm, i cili mbrëmjen e së premtes i ka rrëfyer rrugën drejt hotel “Akademisë”, ish -kampi i pionierëve në Voskopojë. Më pas, Kosta Trebicka ka shkëmbyer fjalë, aq sa janë të domosdoshme me kamarierin, për të porositur darkën e fundit të jetës së tij.

Një pilaf, kos dhe një bërxollë.Kjo ka qenë darka e fundit e Trebickës. Të paktën këtë kujton kamarieri i hotelit, ku edhe ka bujturnatën e së premtes Trebicka. Landi tregon se ka qenë ora rreth 21 e mbrëmjes, kur Trebicka është regjistruar në hotel. Është prezantuar thjesht me emrin Artan. Më pas ka prenotuar një dhomë, pa përcaktuar kohën sesa do të qëndronte në Voskopojë. Ka marrë çelësin me numër 107 dhe është ulur i vetëm në restorant, ku ka porositur darkën. Koha që i ndjeri ka ndenjur në restorant ka qenë aq e shkurtër, saqë të nesërmen, pothuajse asnjë nga personeli i shërbimit nuk pohon ta ketë fiksuar apo njohur, edhe pse Trebicka ishte kthyer në një personazh të njohur publik. Anonimiteti duket se ishte gjithçka që ka kërkuar në Voskopojë Trebicka, ndërkohë që sendet e gjetura në hotel dëshmojnë se të paktën këtë fundjavë, kishte planifikuar ta kalonte larg Tiranës. I vetmi shoqërues për të ka qenë libri i sapobotuar ishkrimtarit Teodor Keko, “Amaneti”.

Personat e parë që kanë hyrë në dhomën 107 të hotelit dëshmojnë se mbi komodinën e dhomës është gjetur libri “Amaneti”, libër që sapo ishte filluar të lexohej prej Trebickës. Po sipas këtyre dëshmive, sendet e gjetura në dhomën e hotelit kanë qenë të pakta. Përveç sendeve personale dhe veshjeve, janë gjetur mbi komodinë dhe syzet optike. Kamarieri i hotelit, Landi, thotë se i ndjeri nuk kishte bërë rezervim më parë. Përveç faktit që kishte zënë një dhomë, asnjë fjalë tjetër nuk ka shkëmbyer, duke mos përcaktuar edhe kohën që kishte planifikuar të qëndronte në Voskopojë. Ajo që dihej nga personeli i hotelit është fakti që klienti i tyre kishte qenë për gjah, për t’iu rikthyer gjuetisë ende pa gdhirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›