SHBA: Reforma zgjedhore, jo në minutën e fundit
Intervista/ Shefi i seksionit politik të ambasadës amerikane, Paul Poletes vlerëson rolin e OSBE-së si deçiziv për përgatitjen e infrastrukturës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Nuk reshtin mesazhet e SHBA-së kundrejt qeverisë dhe politikës shqiptare për të realizuar sa më parë reformën zgjedhore si e vetmja mënyrë për të krijuar mundësi për të patur zgjedhjet konform standardeve ndërkombëtare. Kësaj radhe është shefi i seksionit politik dhe ekonomik të ambasadës amerikane, Paul Poletes, i cili gjatë një komenti mbi përpjekjet e fundit të palëve politike në Shqipëri për përgatitjet e zgjedhjeve, vëren me shqetësim hapat e ngadalshëm që po hidhen në këtë drejtim. Për këtë ai thekson nevojën për bashkëpunimin e forcave politike për të arritur që të realizojnë një ligj të ri zgjedhor që do të bënte të mundur rikuperimin e mangësive që janë vërejtur gjatë zgjedhjeve të shkuara. Gjithashtu diplomati Poletes, shprehet se një rol kyç në këtë proces ka qeveria, e cila duhet të garantoj pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti para periudhës zgjedhore. Ai nënvizon rëndësinë e madhe që ka për vendin, prezenca e OSBE në gjithë procesin e përgatitjes dhe mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme. Për sa i përket debatit mbi mandatin e OSBE-së në Shqipëri Poletes shprehet se qeveria i ka dhënë garanci Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nuk do të ndryshojë në vitet e ardhshme.
Po hyjmë në një vit elektoral. Si i shihni përgatitjet për zgjedhje? Sa e realizueshme është sipas jush, një infrastrukturë normale zgjedhore deri vitin e ardhshëm dhe cili do të jetë qëndrimi amerikan ndaj mangësive në përgatitjen për zgjedhje?
Dy hapat më të rëndësishme për zgjedhjet janë në proces: përfundimi i regjistrit civil dhe kartat e identitetit; si dhe miratimi nga Parlamenti i një Kodi të ri Zgjedhor. Pa përmbushjen e këtyre dy hapave kyçe, mbajtja e zgjedhjeve që përmbushin standardet ndërkombëtare do të jetë shumë më i vështirë. Në lidhje me kodin zgjedhor, ne shpresojmë që ligji i ri do të miratohet shpejt dhe jo vonë, me qëllim që të shmanget një krizë politike dhe nxitim të minutës së fundit për të miratuar legjislacionin, ashtu si ndodhi menjëherë përpara zgjedhjeve vendore në 2007. Nuk do të doja të spekuloj mbi atë se cili mund të ishte reagimi ynë ndaj mangësive në procesin zgjedhor, por po them që presim nga qeveria shqiptare dhe të gjitha partitë politike, të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive për të siguruar që zgjedhjet parlamentare t’i përmbushin standardet ndërkombëtare.
Partitë e opozitës kanë lënë të kuptohet se mund të mos marrin pjesë në zgjedhje, në rast se qeveria nuk do të arrijë të shpërndajë kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike. Sa reale e konsideroni ju këtë mundësi?
Nuk dua të spekuloj mbi atë çka mund të bëjnë ose të mos bëjnë partitë politike të opozitës. Megjithatë, do t’u bëja thirrje të gjitha partive politike dhe qeverisë të punojnë së bashku për të miratuar kodin zgjedhor sa më shpejt që të jetë e mundur si një hap i nevojshëm për të siguruar përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu, varet nga qeveria, që të sigurojë që regjistri civil dhe lëshimi i kartave të identitetit të jenë gati në kohë për zgjedhjet. OSBE bëri rekomandime të shumta pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007 nga të cilat do të veçoja një pikë të posaçme, që: “Partitë politike duhet të demonstrojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në një masë të krahasueshme me privilegjet e gjëra akorduar atyre nga ligji në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve.”
Njëra nga vërejtjet e bëra nga diplomatët amerikanë në javët e shkuara, ka qenë ai i tendencës së qeverisë për të vënë në pikëpyetje prezencën e OSBE në Shqipëri. Sa esenciale mbetet kjo organizatë në funksion të zgjedhjeve dhe a mendoni se janë evituar tashmë problemet mes palës shqiptare dhe organizatës?
Qeveria shqiptare na ka siguruar që mbështet fort rolin që lidhet me zgjedhjet dhe monitorimin e zgjedhjeve të OSBE dhe ODIHR. Prezenca e OSBE në Shqipëri luan një rol kyç, një rol që qeveria e SHBA e mbështet plotësisht. I kemi bërë të qartë qeverisë shqiptare kundërshtitë tona ndaj çfarëdo përpjekjesh për të ndryshuar mandatin e OSBE në Shqipëri në këtë kohë. Megjithëse nuk ka diskutim që Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm vitet e fundit, ka ende shumë punë për të bërë në lidhje me reformat demokratike, gjyqësore dhe zgjedhore, si dhe për të luftuar korrupsionin. OSBE mund dhe luan një rol të rëndësishëm për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë angazhimet e saj ndaj OSBE dhe, për këtë arsye, ne e mbështesim fort punën që OSBE bën këtu.
Sa esenciale është mënyra e përgatitjes së zgjedhjeve, për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO gjatë Samitit të ardhshëm të Aleancës?
Shumë esenciale. Sigurisht, vendet anëtare të NATOS-s do të vëzhgojnënga afër zhvillimin e zgjedhjeve ndërkohë që marrin në shqyrtim ratifikimin për anëtarësimin e Shqipërisë.Megjithatë, duhet të kujtojmë gjithashtu që anëtarësimi në NATO për Shqipërinë nuk njeh vetëm arritjet e kaluara, por edhe ngre pritshmëri për të ardhmen e Shqipërisë nga pikëpamja e reformave demokratike dhe luftës kundër korrupsionit. Një pjesë e madhe e forcës së NATO-s buron nga fakti se mes anëtarëve të saj janë shumë prej demokracive më të vjetra dhe më të forta. Shtetet e Bashkuara ishin jashtëzakonisht krenare që mirëpritën Shqipërinë në NATO, në Bukuresht, por me mirëkuptimin që ftesa është vetëm fillimi i një rruge të gjatë reformash në vazhdim që shtrihet përpara.
Thëniet
Për standardet
“Dy hapat më të rëndësishme për zgjedhjet janë në proces: përfundimi i regjistrit civil dhe kartat e identitetit; si dhe miratimi nga Parlamenti i një Kodi të ri Zgjedhor. Pa përmbushjen e këtyre dy hapave kyçe, mbajtja e zgjedhjeve që përmbushin standardet ndërkombëtare do të jetë shumë më i vështirë”
Për kodin
“Ne shpresojmë që ligji i ri do të miratohet shpejt dhe jo vonë, me qëllim që të shmanget një krizë politike dhe nxitim të minutës së fundit për të miratuar legjislacionin, ashtu si ndodhi menjëherë përpara zgjedhjeve vendore në 2007. Nuk do të doja të spekuloj mbi atë se cili mund të ishte reagimi ynë ndaj mangësive në procesin zgjedhor, por po them që presim nga qeveria shqiptare dhe të gjitha partitë politike, të punojnë së bashku”
Për qeverinë
“Do t’u bëja thirrje të gjitha partive politike dhe qeverisë të punojnë së bashku për të miratuar kodin zgjedhor sa më shpejt që të jetë e mundur si një hap i nevojshëm për të siguruar përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu, varet nga qeveria, që të sigurojë që regjistri civil dhe lëshimi i kartave të identitetit të jenë gati në kohë për zgjedhjet”
Për OSBE-në
“Qeveria shqiptare na ka siguruar që mbështet fort rolin që lidhet me zgjedhjet dhe monitorimin e zgjedhjeve të OSBE dhe ODIHR. Prezenca e OSBE në Shqipëri luan një rol kyç, një rol që qeveria e SHBA e mbështet plotësisht. I kemi bërë të qartë qeverisë shqiptare kundërshtitë tona ndaj çfarëdo përpjekjesh për të ndryshuar mandatin e OSBE në Shqipëri në këtë kohë”