Të afërmit e Trebickës kundër autopsisë
Familjarët e viktimës kanë kërkuar autopsi nga ekspertët amerikanë. Pikat e errëta të rindërtimit të ngjarjes
KORÇË- Familjarët e Kosta Trebickës kërkojnë mjekë amerikanë për të kryer autopsinë e trupit, duke shprehur mosbesim për përfundimin e nxjerrë prej ekspertëve ligjorë shqiptarë. Kontestimi i tyre është bërë në morgun e Korçës, vetëm pak çaste pasi kanë marrë në dorë lejen e tërheqjes së trupit të pajetë. Megjithëse trupi i Trebickës është këqyrur edhe nga ekspertët e Ambasadës Amerikanë, të afërmit kanë shprehur rezervat e tyre, duke thënë se ata nuk kanë profesionin e mjekut ligjor.Trupi i pajetë i Kosta Trebickës ka qëndruar në morgun e spitalit të Korçës për më shumë se 15 orë, ndërsaautopsia është kryer për gati 5 orë, deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pas një riekspertimi të dytë, ai është nisur në drejtim të Tiranës rreth orës 17.30 të pasdites së djeshme.
Për të përjashtuar çdo dyshim apo paragjykim mbi grupin hetimor, edhe prokurorja e Përgjitshme, Ina Rama i ka kërkuar Ambasadës Amerikane një grup të posaçëm hetimi për ngjarjen. Megjithëse ekspertët e kësaj ambasade janë shfaqur në Lekas që prej së premtes, kryeprokurorja Rama është në pritje të përgjigjes për mbërritjen e ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, ekspertët amerikanë në vendngjarje i kanë përqendruar hetimet e tyre tek vendi i ngjarjes, por edhe tek makina e Kosta Trebickës. Ekspertët e Ministrisë së Brendshme, të detyruar nga specialistët amerikanë kanë rindërtuar edhe njëherë skenën e “aksidentit” të biznesmenit Kosta Trebicka, duke vendosur objekte artificiale në vendet ku është gjetur trupi. Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se me ardhjen e ekspertëve amerikanë, ato pak sende të lëvizura nga vendi i ngjarjes janë rivendosur sërish edhe njëherë në disa raste me objekte artificiale, duke i lehtësuar punën ekipit amerikan për krijimin e një hipoteze të përafërt të shkakut të aksidentit.
“Ekspertët e SHBA-së, me mjetet e tyre teknike kanë bërë matjet e pjerrësisë së tokës, gjurmëve të gomave të automjetit, kanë llogaritur shpejtësinë e lëvizjes, kanë bërë matjen e vendit ku u gjet i shtrirë dhe largësinë nga makina, që ishte rreth 43 metra. Të gjitha këto veprime janë kryer për llogari të raportit përfundimtar që ekspertët amerikanë pritet të nxjerrin në përfundim të ekspertimit të vendit të ngjarjes. Megjithë matjet dhe eksperimentet e kryera, ka mbetur i pashpjegueshëm fakti i kthimit të makinës në një vend të rrafshët, për të përfunduar pas disa saltosh disa metra larg vendit të ngjarjes. Kjo gjë ka nxjerrë në skenë një tjetër pistë dyshimi, që lidhet me ndjekjen e mundshme të makinës së drejtuar prej Kosta Trebickës. Kjo pistë i shtohet dyshimeve të shumta mbi gjetjen e trupit shumë larg makinës. Ndërkaq, ekspertët e Ambasadës Amerikane kanë kryer hetimet e tyre në çdo vend që mendohet se ka qenë Kosta Trebicka. Ata kanë këqyrur dhomën me nr.107, ku ai ka kaluar natën e fundit të tij në jetë si dhe trupin e tij në morgun e spitalit të Korçës. Gjatë pasdites së djeshme, ekspertët amerikanë janë takuar edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Ramën, e cila kishte shkuar në Korçë për të bërë një analizë të hetimeve të deritanishme.
Xhevahir Tahiraj pohoi se Kosta Trebicka nuk shkonte asnjëherë vetëm për gjueti
Miku i Trebickës: Ishte nën presion, s’ikte askund pa rojen
TIRANË- Biznesmeni Kosta Trebicka ndjehej i kërcënuar pas denoncimit që kreu për trafikun e armëve. Madje këtë fakt ai ua kishte bërë të ditur edhe shokëve të tij. Njëri prej tyre, Xhevahir Tahiraj, tha dje për mediat se Trebicka nuk shkonte kurrë i vetëm për gjueti. “Unë e kisha shok dhe i thashë ik nga Shqipëria,se nuk mund të jetosh më këtu”- u shpreh shoku i biznesmenit, Tahiraj. Biznesmeni shqiptaro-amerikan, sipas shokut të tij nuk dilte asnjëherë pa rojën e tij. “Asnjëherë nuk dilte vetëm. Dilte me rojën’ -shtoi më tej Xhavahir Tahiraj, ditën e djeshme teksa ndodhej në banesën e Trebickës në pritje të mbërritjes së trupit të tij.
Ndihej i frikësuar?
Ndihej shumë i frikësuar pas Gërdecit. Unë e kisha shok dhe i thashë ik, se nuk mund të jetosh më këtu.
Dilte për gjah?
Dilnim të gjithë. Dilja dhe unë me të. Asnjëherë nuk dilte vetëm. Dilte me rojën. S’ka bërë vaki të dilte Kosta ndonjëherë vetëm. Këtu jemi nja 4-5 veta që dilnim të gjuanim. Dhe në fshat kur dilnim ne, Kosta dilte dhe na merrte me makinë. Kosta shkonte shpesh për gjah andej, meqë e njihte zonën pasi ishte rritur. Hante në një lokal gjithmonë. Nuk kishte probleme me njerëzit këtu. K.Kotorri
Koço Bardhi pohon se pas makinës së Trebickës ka kaluar edhe një makinë tjetër
Dëshmitari: Pashë një makinë të dytë në Lekas
VOSKOPOJË- Koço Bardhi, personi që gjeti i pari të gjakosur Kosta Trebickën ka pohuar dje për mediat se pas makinës së Kosta Trebickës ka parë një tjetër makinë, të kalonte nëpër të njëjtën rrugë. “Kaloi një makinë dhe shoferi ngriti dorën. Pak kohë më pas kaloi një tjetër makinë dhe sërish shoferi ngriti dorën. Pas çerek ore kanë ardhur punëtorët e kromit nga Tirana dhe më thanë se kishin parë një makinë të dëmtuar. Shkova dhe pashë një person me rroba ushtarake të gjakosur. Mora në telefon policinë dhe ata më thanë të mos prek asgjë me dorë”,- është shprehur Bardhi për mediat. Ndërkohë, një tjetër banor i Voskopojës është gjendur si deshmitar në çastet kur është zbuluar automjeti i rrëzuar. “Viktima ishte mbuluar me gjak në fytyrë. Kujtova se mund të ishte dikush tjetër që mund ta kishte vrarë, por nuk kishte asnjë njeri rreth e rrotull”, -tregon dëshmitari. Sidoqoftë, hetuesit shprehen se është ende herët për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Kosta Trebickën, dëshmitarin kyç të çështjes së Gërdecit.
DYSHIMI
Motra e Kostës: E qava tim vëlla që pas Gërdecit
TIRANË- “Kostën e kam qarë që pas 15 marsit, kur ndodhi tragjedia e Gërdecit”. Motra e Kosta Trebickës, e sapoardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pohuar në shtëpinë e mortit se i ishte lutur të vëllait të mos denonconte gjë, por ai nuk e kishte dëgjuar. Ajo u ka thënë miqve të mbledhur në shtëpinë e Trebickës, në pritje të trupit të tij se jetonte çdo ditë me frikën se të vëllait mund t’i ndodhte ndonjë gjë, frikë që për fat të keq nuk rezultoi e kotë. Në shtëpinë e Kosta Trebickës, ende duket e pabesueshme vdekja e tij. Bashkëshortja e tij, Brunilda, u kthye në gjendje të rënduar psikologjike nga Korça, pa mundur të flasë me askënd. Ndërkohë, të afërmit janë kujdesur që djalit 11-vjeçar të Kosta Trebickës t’i gjejnë një psikologe, për të përballuar këtë tragjedi të rëndë. Familjarët bënë me dije mbrëmë se ceremonia mortore do të kryhet sot në orën 15.00 të pasdites, në varrezat e Tufinës.