Zamparini mendon për Ujkanin

E ardhmja e Samir Ujkanit mbetet pezull. Mediat italiane vazhdimisht shkruajnë versione të ndryshme për portierin kosovar. Sa thuhet se ai do të qëndrojë në Novara, ndërkohë thuhet se do të kthehet në Palermo.
Së fundmi, për t’i sqaruar gjërat është përkujdesur presidenti i klubit sicilian, Maurizio Zamparini. Klubi Rosanero e ka në bashkëpronësi me Novarën përfaqësuesin shqiptar, por e posedon mundësinë e rikthimit të tij kur të ketë nevojë.
Tash, pas largimit të portierit Salvatore Sirigu, i cili iu bashkua Paris Saint Germainit, klubi nga Sicilia nuk po arrin marrëveshje me Chievon për portierin Sorrentino. Andaj, ish portieri i Anderlechtit është më shumë se një alternativë. Si konkurrent, ai e ka portierin e AZ Alkmaar, Romero.
“Sorrentino nuk vjen te ne, sepse Chievo nuk e ka ndërmend ta shesë dhe unë nuk dua ta lus këtë ekip. Për këtë do ta shohim se te cili portier të llogarisim. Më pëlqen Romero, ndërsa Ujkani është i yni. Sidoqoftë, ka kohë dhe do ta shohim në ditët në vazhdim”, deklaroi kreu i klubit italian.