E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rojters: Vlerësimin për aplikimin e Shqipërisë në BE, e mban të ngrirë Gjermania

Një analizë e agjencisë Rojters zbulon faktin e Shqipëria do ta ketë të vështirë rrugën drejt BE. Duke folur në lidhje me vendimin e parlamentit islandez që i hap dritë jeshile vendit për të hyrë në BE, agjencia në një artikull me titull "Anëtarësimi i shpejtë i Islandës mund të zhgënjejë vendet e tjera që duan të anëtarësohen", - thotë se kjo mund të sjellë ngadalësim të reformave në vendet e Evropës Lindore.

Agjencia zbulon nga burime në Bruksel se Kroacia mund të mos jetë në të njëjtin hap së bashku me Islandën, ashtu siç ishte parashikuar. Sipas diplomatëve të BE, ka shumë zhgënjim, për shkak se Ballkani nuk po bën hapa të shpejtë për të merituar anëtarësimin. Kroacia nuk bën përjashtim.

Më poshtë artikulli thotë se vendet që duan anëtarësimin mund të përballen me negociata të gjata dhe shumë të lodhshme. Serbia është bllokuar në këto negociata, thotë artikulli, nga Holanda, për shkak të mosdorëzimit të të kërkuarve për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, Bosnja është pezull i problemeve të thella të brendshme, Maqedoninë e mban peng përplasja për çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa marrjen në vlerësim të aplikimit të Shqipërisë po e mban të ngrirë Gjermania.

Ashtu si gjithmonë, zyrtarët e BE thonë se kanë frikë se anëtarësimi i shpejtë i Islandës mund të sjellë probleme në vendet e tjera, por ato si rrallë ndonjëherë nuk druhen se mund të ketë ndonjë luftë apo konflikt në rajon, por thonë se mund të ketë stanjacion ekonomik.

Megjithatë, zyrtarët e BE thonë se do vazhdojnë të lëshojnë mesazhe optimiste për këto vende, të cilat janë mjaft të ndjeshme ndaj çështjeve të integrimit.


Ambasadori gjerman: Përmbushni kushtet për vizat


dt 17 korrik

TIRANË- Sinjal të qartë e ka quajtur sot ambasadori gjerman Bernd Borchardt lajmin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, duke deklaruar se Shqipëria duhet të përpiqet për përmbushjen e standardeve. Ai ka thënë se drejtuesit e vendit duhet ta kenë mirë parasysh se për të përfituar liberalizimin e vizave, duhen përmbushur një sere standardesh.
"Sinjali është i qartë dhe nuk duhen dhënë premtime boshe. Duhet të përmbushen standardet"- tha ai, duke premtuar mbështetje në këtë proces, ndërsa ka kujtuar se ato janë përmbushur nga fqinjët që tashmë do të lëvizin pa viza.
"Maqedonia dhe Mali i Zi i kanë plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave", theksoi ai, gjatë një takimi organizuar nga lëvizja MJAFT.
Sipas ambasadorit gjerman, liberalizimi i vizave pas kësaj mbetet një çështje e brendshme e vendit tonë dhe klasa politike duhet të ndërgjegjësohet për përmbushjen e detyrimeve.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›