PD e kthen Këshillin Bashkiak në mbledhje partie
Bare: "Shikoni punët në partinë tuaj, pasi në Partinë Socialiste ka kush i zgjidh"
TIRANË - Në sallën ku zgjidhin hallet e kryeqytetasve, por, për hir të së vërtetës edhe janë sherrosur për muaj të tërë, pragmbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak, ishte e mbushur plot idil.
Këshilltarët bashkiakë demokratë, gjetën rastin të shkëmbenin puthje dhe përqafime të ngrohta, si dhe t'u shtrëngonin duart kolegëve të tyre, që në shtator do të shkëmbejnë vendin e këshilltarit bashkiak me atë të deputetit në Parlament. Përshëndetjet të djathtët nuk i kursyen edhe për kolegët, me të cilët deri para pak kohësh ndanin pikëpamje të kundërt politike.
Ferdinand Pone, kryetar i grupit të djathtë, gjeti mundësinë pak minuta para se të fillonte mbledhja, të takonte edhe kryetaren e këshilltarëve bashkiakë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Por, menjëherë sapo mbledhja filloi, jashtë çdo kompetence që mbulon Këshilli Bashkiak, grupi i djathtë mbajti një deklaratë për zgjedhjet e fundit parlamentare.
Ferdinand Pone, kreu i këshilltarëve demokratë, ngriti në piedestal kreun e PD-së, Sali Berisha, duke e cilësuar si triumfatorin e zgjedhjeve, ndërkohë që cilësoi kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, si kalorës të vrerosur, i cili duhet të jepte menjëherë dorëheqjen nga kreu i Partisë. Nuk ngelën pa reaguar edhe këshilltarët e majtë.
Besnik Bare, kreu i këtij grupi, i kujtoi z. Pone, se bënte mirë të mos merrej me punët e Partisë Socialiste, pasi kishte kush t'i zgjidhte ato.
Ai tha se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk i përmbushën standardet e kërkuara, dhe për këtë fajtor është vetëm një person, i cili quhet Sali Berisha. "Nuk e do besoja që banaliteti të zbriste deri në Këshillin Bashkiak.
Ato që z. Pone tha, nuk janë aspak të vërteta. Në këto zgjedhje ka pasur deformime të jashtëzakonshme. Kanë votuar emigrantë që nuk kanë qenë në Shqipëri në momentin e votimeve, ka pasur dublime të votuesve, po kështu Kryeministri Berisha përdori administratën në zgjedhje", - tha Bare, duke u kujtuar këshilltarëve të djathtë se, ndryshe nga ç'mendojnë, nuk janë fitues.