E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpall veten fitues: Zgjedhjet, sipas standardeve

Ende pa dalë rezultati përfundimtar, Berisha shpall fitoren. Ai tha se zgjedhjet plotësuan standardet, ndërsa thekson se koalicioni me LSI-në nuk do të sjellë shtim mandatesh


TIRANË- Edhe pse ka deklaruar se do të presë vendimin përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryeministri Sali Berisha ka shpallur dje fitoren përmes një konferencë për shtyp, të zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë.


Kur ende procesi ka mbetur pezull dhe kur gjithçka do të diktohet tashmë nga Kolegji Zgjedhor, kreu i ekzekutivit ka nxituar të shpallë fitoren e koalicionit që ai drejton. "Zgjedhjet, jo vetëm nxorën fitimtarë koalicionin e "Aleancës për Ndryshim", por përcaktuan edhe një koalicion thellësisht të dobishëm për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, një koalicion i cili ka të gjithë potencialin e madh, politik, profesional, teknik të gjithanshëm për të shndërruar në realitet, me shpejtësi, projektin e Shqipërisë", -tha Berisha. Kreu i ekzekutivit ka deklaruar dje se shqiptarët në këto zgjedhje votuan për të ardhmen e tyre, dhe për Shqipërinë evropiane.


Pa një rezultat përfundimtar, që do të certifikonte këto zgjedhje, kreu i ekzekutivit i është përgjigjur edhe qëndrimit të kryetarit të PS-së, Edi Rama, sipas të cilit, Berisha nuk ka mandat për të qeverisur.


"Zoti Rama, më duhet të them se do të mbetet në historinë e këtij vendi si politikani i shanseve të humbura personale. Kishte një shans të telefononte, por atë nuk e bëri. Për të tjerat, ju garantoj se ai nuk është agjenda e Sali Berishës.


Ndërsa Partinë Socialiste, grupin e saj parlamentar, dua ta siguroj se unë do ta shtrij dorën që të bashkëpunojmë në interesin më të mirë të kësaj shoqërie dhe të këtij vendi",- tha Berisha.


Standardet


Në kundërshtim me shqetësimin e ndërkombëtarëve se këto zgjedhje nuk përmbushen standardet, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se kënaqësia e tij e pamasë ishin pikërisht standardet e këtyre zgjedhjeve. "Unë mendoj se kjo qeveri u faktoi shqiptarëve dhe botës vullnetin e saj të hekurt, që qytetarët e këtij vendi të votojnë më të lirë dhe më mirë se kurrë.


Sikundër, dua të theksoj se shoqëria shqiptare është shoqëri shqiptare. Unë ju garantoj se nuk ka ndonjë vend dhe unë nuk di ndonjë të tillë, ku standardet të jenë respektuar në mënyrë të përsosur.


Pra, a mund të thuhet se standardet ishin të përsosura. Jo! Nuk mund ta them këtë, sepse përsosmëria nuk ekziston. Por vullneti i hekurt i kësaj qeverie që shqiptarët të votojnë të lirë, u dëshmua nën dritën e diellit. Kjo ishte detyra ime", - tha ai, duke shtuar se ishte krenar për këtë proces zgjedhor.


Koalicioni me LSI-në


Kryeministri Berisha ka deklaruar dje se negociatat me koalicionin e LSI-së do të fillojnë në kohën e përcaktuar në Kushtetutë, edhe pse prej kohësh mes tij dhe Ilir Metës po diskutohet ndarja e portofoleve.


"Në variantin më optimal, qeveria nuk mund të krijohet para datës 10 shtator. Parlamenti nuk mund të mblidhet para datës 4 shtator. Kryeministri është i detyruar, me Kushtetutë, të paraqesë programin brenda 10 ditëve nga emërimi i tij.


Buxheti i shtetit duhet hartuar, ai është jetik për vendin dhe nuk mund t'i lihet hartimi i tij qeverisë që vjen",- tha Berisha, duke shtuar se bashkëpunimi me LSI-në do të sjellë një koalicion eficient.


Ai ka përjashtuar gjithashtu mundësinë e shtimit të kabineteve për shkak të këtij bashkëpunimi. "Qeveria e ardhshme do të jetë një koalicion, por përjashtoj plotësisht shtimin e kabineteve. Jo! Unë nuk mund të shtoj kabinetet dhe nuk pranoj një praktikë të tillë, e cila gjykoj se nuk është e dobishme",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›