Berati dhe Fieri, të martën merret vendimi në Kolegj
KQZ-ja s'certifikon mandatet për Qarkun e Durrësit. Konservatorët, ankesë në Kolegj
TIRANË - Të martën pritet të përcaktohet përfundimisht fati i rezultatit të zgjedhjeve për Qarkun e Fierit dhe atë të Beratit. E ndërsa të hënën KQZ-ja do vendosë mbi kërkesën e fundit ankimore që ka në shqyrtim, atë të PDI-së për Qarkun e Fierit, Kolegji Zgjedhor, një ditë më pas do të tentojë të vërë drejtësinë lidhur me pretendimet e një sërë subjektesh politike jo vetëm për këtë zonë zgjedhore, por edhe për atë të Qarkut të Beratit.
Dje pasdite, në Gjykatën e Apelit të Tiranës është hedhur shorti për përcaktimin e gjyqtarëve që do të marrin në shqyrtim këto dy çështje. Të tetë gjyqtarët që e përbëjnë trupën e Kolegjit Zgjedhor janë ndarë në dy trupa të ndryshme gjykimi, ku disa prej tyre do të kenë mundësi që të bëhen pjesë e shqyrtimit në të dyja këto çështje.
Kolegji pritet të ndjekë praktikën e grupimit të kërkesave ankimore që kanë objekt të njëjtë, për të shkurtuar në këtë mënyrë kohën e gjykimit, por edhe për të shmangur përplasje në vendimmarrje.
Sipas kësaj praktike, kërkesa e PS-së për Qarkun e Fierit do të shqyrtohet së bashku me kërkesën që ka depozituar PDI-ja, si dhe me kërkesën e pritshme që PD-ja do të depozitojë për këtë qark. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe për kërkesat për Qarkun e Beratit, ku përveç kërkesës së depozituar nga socialistët, pritet të ankimojë edhe G99-a.
Pretendimet e tyre janë thuajse të njëjta, pasi kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim të votave në të 4 ZAZ-të e Qarkut të Beratit. Seancat për këto dy çështje janë lënë të zhvillohen ditën e martë, për të vijuar më pas me kërkesat e tjera që subjektet zgjedhore kanë bërë apo do bëjnë për qarqet e tjera.
Ndërkohë, në kolegj ka mbërritur së fundi edhe një kërkesë nga Partia Konservatore, e cila në afatet e fundit ka depozituar pranë kësaj gjykate pretendimet e saj për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qarkun e Durrësit.
Kjo ka bërë që ditën e djeshme KQZ-ja të pezullojë vendimmarrjen e saj për ndarjen e mandateve dhe përcaktimin e deputetëve të këtij qarku. Nga ana tjetër, dy forcat e mëdha janë duke punuar për të përgatitur dosjet për ankimet për Qarkun Tiranës dhe atë të Shkodrës.