E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rokadë në Apelin e Tiranës. Lëvizin 16 gjyqtarë në Tiranë e Vlorë

Në një mbledhje të beftë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur mëngjesin e djeshëm largimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, një rokadë të komanduar në krye të Gjykatës për Krimet e Rënda si dhe 16 lëvizje gjyqtarësh në të gjithë republikën. Ndryshimet kanë qenë të pritshme pasi prej kohësh përflitej rokada e krerëve të Apelit dhe Krimeve të Rënda, por dje është bërë zyrtarizimi.

Nga ana tjetër një pjesë e madhe e gjykatave në vend janë pa kryetarë dhe për këtë arsye është vendosur kalimi me procedurë të përshpejtuar i vlerësimit të kandidatëve. Duke i konsideruar kryetarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të gjykatave të apelit, si partnerë të Këshillit dhe përcjellës të zërit të tij në gjykata, u vendos që puna e inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të fokusohet në vlerësimin me procedurë të përshpejtuar të kandidatëve për kryetarë, në vendet tashmë të shpallura vakante,- u tha në mbledhjen e djeshme të KLD-së.

Apeli i Tiranës

Vendimi i parë kishte të bënte me kreun e Apelit të kryeqytetit. Në mbledhjen e djeshme u vendos shkarkimi i kryetarit aktual, Metush Saraçi. KLD nuk ka dhënë një arsyetim zyrtar për largimin e tij, por vetë Saraçi u shpreh pas vendimit se mandati i tij kishte mbaruar prej një muaji dhe se lëvizja është një gjë normale. Në vend të tij KLD ka vendosur gjyqtarin Alaudin Malaj, i cili do të mbajë postin e kreut të komanduar të Gjykatës së Apelit Tiranë deri në përfundimin e procedurave për emërimin e kryetarit të kësaj gjykate. Burime të KLD-së pohuan se Malaj do të mbajë postin e kreut të Apelit për të paktën tre muaj.

Rokada

Në vijim, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, Këshilli përcaktoi vendet vakante për kandidatët magjistratë, të cilët kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, profili gjyqtar. Njëkohësisht, në rendin e ditës ishin përfshirë plotësimet e vendeve vakante në disa gjykata të rretheve gjyqësore, ku pas procedurës së votimit, u shpallën fitues 16 kandidatë,- thanë burimet zyrtare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas mbledhjes së djeshme. Në listën e 16 gjyqtarëve bie në sy transferimi i anëtarit të KLD-së Artan Gjermëni nga Elbasani për në Tiranë. Vetë gjyqtari nuk ka votuar në mbledhje. Ndërkohë një tjetër emër i njohur është edhe ai i Skënder Halucës. Deri pak kohë më parë ai ka pasur postin e Komisionerit të Avokatit të Popullit. Pas mbarimit të mandatit ai është kthyer në drejtësi dhe dje i është propozuar Presidentit të Republikës që Skënder Haluca të emërohet gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë. Një shikim i listës së emërimeve në gjykata tregon se nëntë gjyqtarë janë emëruar në Tiranë dhe gjashtë në Vlorë. Në përgjithësi të gjitha emërimet mund të cilësohen si pozitive pasi gjyqtarët kanë ardhur me rritje në detyrë duke u transferuar në gjykata më të rëndësishme.

Lëvizjet në gjyqësor

1.             Artan Gjermëni, aktualisht gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Elbasan, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

2.             Vesel Bako, aktualisht gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Mat, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Kurbin.

3.             Eneida Civici, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

4.             Vjosa Çela, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

5.             Brunilda Kadi, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

6.             Marinela Nuni, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

7.             Rilinda Selimi, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

8.             Irena Hoxha, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Dibër, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

9.             Julian Haxhiu, aktualisht gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

10.          Arben Mullaj, aktualisht gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Kavajë, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë.

11.          Astrit Shema, aktualisht gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Gjirokastër, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë.

12.          Arbana Selmanaj, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Pukë, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë.

13.          Arqile Basho, aktualisht gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Gjirokastër, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë.

14.          Anastasi Shehu, aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Krujë, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë.

15.          Ervin Trashi, aktualisht gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Gjirokastër, transferohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë.

16.          Skënder Haluca, i propozohet Presidentit të Republikës të emërohet gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›