E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga, kush do e udhëheqë Kosovën

PRISHTINE- Atifete Jahjaga nuk është emër shumë i njohur në opinion. Por, në punën e saj, në polici, është shembull i ngritjes së shpejtë në karrierë. Mban gradën më të lartë ndër pjesëtaret femra të policisë në Europën Juglindore, Gjeneral-Major. Sipas formularit të deklarimit të pasurisë 2010, ajo jeton me qira. Është nga rrethi i Gjakovës dhe burri i saj është mjek.

Janë të rralla rastet si Atifete Jahjaga, që kanë mundur të avancohen aq shpejt në karrierë.

Me profesion juriste, ajo karrierën në polici e ka filluar si përkthyese, më pas police në Departamentin e Policisë Kufitare. Po ashtu, ajo ka kryer edhe detyrën e kryesueses së Departamentit të Trajnimit, si dhe Ndihmëskomisares për Kufij, ndërkaq aktualisht, me gradën Gjeneral-Major, mban pozitën e zv/drejtorit të Policisë së Kosovës.

Pavarësisht një pozite të rëndësishme në polici, Jahjaga nuk shquhet për jetë të pasur e luksoze. Jeton me qira në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Në formularin për deklarimin e prejardhjes së pasurisë, vitin e kaluar, Jahjaga ka shkruar se nuk posedon paluajtshmëri, ndërkaq një automjet në vlerë 6000 euro e ka blerë nga kursimet. Po sipas formularit, në bankë i ka të deponuara 1900 euro, ndërkaq paga mujore e saj është 1042 euro. Është e martuar me mjekun Astrit Kuçin, nuk kanë fëmijë, ndërkaq ai merr 390 euro pagë në muaj dhe, gjithashtu, nuk posedon paluajtshmëri.

Në online enciklopedinë britannica.com, Jahjaga portretizohet si shembull i mirë i ngritjes së shpejtë në karrierë brenda një periudhe dhjetëvjeçare.

Ajo mban gradën më të lartë ndër pjesëtaret femra të policisë në Evropën Juglindore, një e arritur kjo mbresëlënëse. Në fjalimin para gazetarëve, Ambasadori Christopher Dell tha se SHBA-ja ka punuar shumë vjet me Jahjagën dhe se ajo ka fituar admirimin dhe respektin e çdonjërit me të cilin ka punuar që nga Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, deri te qindra policë dhe police amerikanë, të cilët kanë qenë krenarë që kanë shërbyer me të dhjetë vjetët e fundit.

Atifete Jahjaga ka kryer shumë trajnime, ndër të cilat edhe në SHBA. Gjatë një projekti trejavor të UNDP-së për menaxhment trajnues, të financuar nga Qeveria holandeze, ajo u takua dhe u fotografua edhe me Presidentin George W. Bush. Jahjaga vjen nga rrethi i Gjakovës. (Express)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›