E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roli i Venecias asistence per kodin jo Tiranen

Maxhoranca e sheh të pavend dërgimin e zgjedhjeve të Tiranës në Komisionin e Venecias. Dash Sula, deputeti demokrat i pranishëm në të gjitha mbledhjet e Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e kryeqytetit shprehet se juristët shqiptarë mund ta zgjidhin çështjen brenda vendit. I vetmi ndikim i komisionit do të jetë rekomandimi për përmirësime në kod dhe jo ndryshim në rezultat.

“Absolutisht nuk mund të kemi një kalim në Venecia, nuk është nevoja për të patur një drejtim të tillë nga ana e aktorëve shqiptarë. Teori të tilla, për mua janë të pabazuara dhe Komisionit të Venecias mund t’i drejtohesh nëse ne mund të kemi përmirësim të kodit zgjedhor, por opinionet që mund të jepen nga ky komision janë opinione që nuk mund t’i përkasin një çështjeje konkrete siç është procesi zgjedhor. Janë vendime rekomanduese dhe jo detyruese”-thotë Sula.

Deputeti i maxhorancës bën thirrje të ndërpriten akuzat ndaj gjyqtarëve të kolegjit, si dhe të zbatohen vendimet e  tyre.

“Besoj në integritetin personal dhe moral të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duke patur parasysh që është një kolegj i zgjedhur me konsensusin e plotë të palëve të opozitës dhe maxhorancës. Duhet t’i nënshtrohemi vendimeve të gjykatës, të kujtdo qofshin dhe sido qofshin ato”-theksoi ai.

Ideja e Venecias është artikulaur javët e fundit nga disa prej zyrtarëve të Brukselit. Ideja u pëlqye menjëherë nga opozita, ndërsa maxhoranca kishte shmangur komentet mbi të.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›