E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roli i dialekteve në zgjerimin e standardit

SHEZAI RROKAJ

Qysh prej Kongresit të Drejtshkrimit e në vijim, çështja e standardit dhe e raportit të tij me dialektet është bërë objekt diskutimesh e debatesh në mjaft tubime shkencore, në shtypin e shkruar e atë viziv. Debatet kanë pasur të bëjnë kryesisht me bazën dialektore të standardit: me çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë gabim, çfarë u përfshi dhe çfarë u la jashtë tij, çfarë duhet përfshirë nga gegërishtja dhe çfarë duhet rregulluar brenda vetë standardit. Në përgjithësi debatet janë përqendruar te ruajtja dhe përmirësimi i tij nga njëra anë dhe, për një përballje të re me gegërishten, nga ana tjetër.  Është bërë e qartë tashmë se si teorikisht2 edhe nga përvoja e gjuhëve të tjera, mbështetja e standardit në një dialekt (toskë), duke e pasur dialektin (siç është rasti ynë me gegërishten)  a dialektet e tjera ndihmëtar/e, është e përligjur. Argumenti i përfaqësimit më të madh numerik për të përligjur ipso facto një standard ad hoc (popullsia gege sasiorisht më e madhe se ajo toske, duke mos marrë fare parasysh shtrirjen3 e standardit të sotëm edhe në arealin dialektor gegë), që sillet nga ndonjë gjuhëtar së fundmi4, në dobi të një ristandardizimi, nga përvoja e formimit të gjuhëve standarde, nuk është domosdoshmëri teorike e praktike. Nga ana tjetër, nuk bën gjë tjetër veçse rihap çështjen e legjitimimit të standardit të sotëm. Është e vërtetë se përhapja e standardit është një shpenzë për sa i përket mundit të folësve për të përvetësuar kodin normativ të gjuhës së shtetit. Kjo kosto për shtrirjen e standardit në gjithë arean shqipfolëse pra, edhe përtej arealit toskë duke e përfshirë edhe vetë këtë të fundit) ka pasur rezultate të pamohueshme, sido që mbetet ende shumë për të bërë. Por rikthimi në një formë tjetër i tezës së 72-shit për një standard mbidialektor5 është po aq i gabuar6 sa edhe vetë pohimi i saj në Kongresin e Drejtshkrimit. Edhe ndonjë tezë për një neostandard7 metropolitan është po aq e paqëndrueshme sa dhe vetë stabilizimi i popullsisë së ardhur në këtë trevë. Jo vetëm është i gabuar, por edhe i rrezikshëm për të ardhmen e kombit, pasi rihap çështjen e formimit të standardit a të tjetërsimit të tij. Për këdo që merret me probleme teorike të gjuhës e kupton drejt se këtu çështja nuk shtrohet për të ndrequr disa aspekte gjuhësore, një pjesë e mirë e të cilave është vënë në dukje së fundmi edhe nga një punim i kujdesshëm në Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe8. Nuk është fjala as për përfshirjen e një fjalësi të bollshëm me prejardhje gege9, i cili, volendo dolendo, po i ngjizet standardit pa kurrfarë pengese. Siç ka pohuar profesor Shkurtaj, në mënyrë të veçantë duhet ti qasemi pasurisë, larmisë dhe forcës shprehëse të leksikut dhe të frazeologjisë së krahinave të Veriut, të cilat, qoftë në masën që na janë fiksuar në veprat e autorëve që kanë shkruar në variantin letrar të gegërishtes, qoftë edhe nga gurra e gjallë e gegërishtes së folur ose nga folklori i gegërishtes i Veriut duhet vlerësuar e vështruar kurdoherë si burime të freskisë dhe të prurjeve të domosdoshme për gjuhën letrare të përbashkët10. Edhe disa rregulla drejtshkrimore që lidhen me probleme, si: shquarsia dhe pashquarsia e disa emrave të përveçëm; emrat gjeografikë që janë togfjalësha, shtrirja e shkronjës së madhe në disa fjalë, si: Bajram, Krishtlindje, Perëndi; vënia e theksit te disa orientalizma si; téneqe/teneqé, básme/basmá; një grup emrash mashkullorë që në normën e sotme shkruhen me ë si; djalë, gjalpë, lumë, mjaltë, ballë etj.; shumësi i disa emrave si; kabëll, teatër apo si: mjeshtër, pediatër, otojatër duhen shqyrtuar dhe dhënë zgjidhje në mënyrë shkencore dhe me miratim prej institucioneve që merren me problemet e gjuhës në bashkëpunim me shtetin. Gjithashtu, çështje që lidhen me emrat, si: ata që kanë vetëm njëjësin apo vetëm një gjini, fjalët e përbëra mbiemërore që lidhen me zanoren o a me vizë lidhëse; mbiemra prejemërorë vendesh me prapashtesën ian/-jan, -iot/-jot etj., duhen vënë në tryezën e zgjidhjes. Edhe sistemi foljor ka çështje të debatueshme, si: e pakryera e habitores punuakej, lënkej në raport me punuakësh, lënkësh; disa forma të kohëve të thjeshta të habitores që formohen nga pjesorja dhe jo nga tema e së tashmes a ndonjë temë tjetër, si: ardhka, thënka, dashka në vend të vika, thënka doka etj.; foljet bie, shpie në urdhërore njëjës bjer apo bier, shpjer apo shpier; Gjithashtu ka ngjallur diskutime folje si: ec, ik, hip apo eci, iki, hipi. Tërheq vëmendjen edhe diskutimi rreth formës t/s të foljeve të tipit mas/mat, nxit/nxis, pëshpërit/pëshpëris etj. Pra, përveç ndonjë rasti, të pakët janë sot ata studiues, që janë kundër përmirësimeve që duhen bërë në standardin e sotëm dhe se rishikimet aty ku është e nevojshme duhen bërë. Por, ta themi qartë: një ndërhyrje e tillë si ajo që propozohet në sistemin foljor, nëpërmjet përfshirjes së paskajores gege, prish sistemin e standardit të sotëm dhe rihap procesin e standardizimit të gjuhës shqipe nga e para, sepse krijon shtratin për një standard tjetër me bazë gegërishten. Duke qenë se folja është bërthama e thënies, pra themeli i gjuhës, ndryshimi i kësaj bërthame trondit themelet e standardit. Me përfshirjen e paskajores gege si formë përfaqësuese, standardi që krijohet nuk mund të jetë as ky që është gjoja i përmirësuar as një mbidialektor gjoja gjithëpërfshirës. Me përfshirjen e paskajores gege, ky i riu që mëtohet të fabrikohet ex catedra, nuk mund të jetë as më shumë e as më pak veçse një përpjekje për një standard tjetër me bazë gegërishten. Çfarë do ti mbetej në sistem këtij standardi me përfshirjen e paskajores? Le të ndalemi vetëm në disa prej argumenteve, që vijnë në mbështetje të çfarë theksuam më lart:
Problemi i parë është se cilin variant të paskajores do të përdoret: ai me punu apo me punue, kam me bo/kam me ba. Futja e paskajores ndryshon gjithë kohët e përbëra të sistemit foljor: kam punuar/kam punu/e; kisha punuar/kisha punu/e etj..
Ndryshojnë format e pashtjelluara si: për të punuar, duke punuar, pa punuar, me të/një të punuar: me punu/e, tu/j punu/e, pa punu/e, me te punu/e(?), një të punu/e etj..
Ndryshon drejtshkrimi i emrave prejfoljorë si: a) men(d)oj men(d)im m(b)jell m(b)jellje, n(d)aj n(d)arje: b) emra që formohen prej foljesh që kanë  ë nistore a ë mesore, siç është rasti i mëposhtëm i pikës gjashtë etj.
Dalin jashtë sistemit të standardit aktual grupet mb, nd, ng, ngj: n(d)ez, n(d)aj, m(b)jell, n(j)gj)all, dëgjoj/nigjoj, n(d)i(e)j, n(g)as etj..
Pësojnë ndryshime të ndjeshme në fleksion (në trup a në mbaresa) në raport me standardin, një numër i madh foljesh me frekuencë të lartë në përdorim, si: kam/pasë, jam/kenë, dua/du, pi/pin, fle/flen, flas/fol, bëj/baj, boj.
Një problem tjetër është ai i ë-së kryesisht në trup të foljes, e cila në një përligjje të paskajores në standard do të krijonte probleme drejtshkrimore si: ë(a)nd(ë)rroj, ë(a)m(b)ëlsoj, ë(a)njt, m(ë)soj, p(ë)soj, pun(ë)soj, pik(ë)lloj, rr(ë)fej etj.
Sistemi fontik/përkatësisht ai drejtshkrimor i standardizuar qysh prej Kongresit të Manastirit, pëson ndryshime thelbësore lidhur me pranimin e hundoreve dhe zanoreve të gjata dhe të shkurtra si dhe grafinë e tyre përkatëse. Këto ndryshime sjellin një pështjellim grafik, i cili tjetërson standardin e sotëm.
Shprehjet frazeologjike që mbështeten në përdorimin foljor, duke qenë të ngurosura, e ruajnë origjinën dialektore si: I kalli frikën, më shtiu frikën, U korit daja kur foli me të, Mos e çik atë muhabet, Pse e nguc …, i vetoi nëpër mend …, Prej trishtimi nuk bëzan, U trand për një çast, U çart pa arsye… etj.
Shtrirja e paskajores gege brenda standardit të sotëm do ta tjetërsonte vetë atë sepse do të deformonte edhe standardin edhe gegërishten e shkruar, pasi do ti hiqte këtij varianti të drejtën natyrore për t

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›