E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemeni, në buzë të greminës

25-10-2011 / Nga Ken Silverstein (Foreign Policy)

Vetëm pak kohë pasi u vlerësua si njëra nga tre fitueset e Çmimit Nobel për Paqe të këtij viti, veprimtarja jemenase Tawakkul Karman u shpreh që nëse presidenti i Jemenit - i cili sakaq po përgatitet për luftë - do të rrëzohej nga pushteti, hetuesit duhet të nisnin menjëherë nga puna për të kërkuar fondet dhe pasuritë e transferuara jashtë shtetit, në emër të anëtarëve të qeverisë së tij. “Paratë e grabitura nga regjimi i tij duhet t’i kthehen popullit jemenas”, u shpreh ajo. Në qoftë se presidenti detyrohet me forcë të largohet nga pushteti - të cilin e ka mbajtur për më shumë se tre dhjetëvjeçarë në radhë - hetuesit e pasurive duhet të nisin punën duke kërkuar fillimisht në Uashington DC. Të dhënat e pasurive të patundshme tregojnë se në vitin 2007, në emër të Ahmed Ali Saleh, janë blerë katër apartamente në një godinë luksoze në “Friendship Heights”, fare pranë njërës prej qendrave tregtare më luksoze të qytetit. Ai pagoi 5.5 milion $ - para të thata - për këto banesa. Në emër të tij figuron edhe një pronë tjetër në vlerën e 220,000 dollarëve në Fairfax, Virxhinia, e blerë në vitin 1990. Saleh është një mbiemër mjaft i përhapur në Jemen, ndërkohë që ambasada e Jemenit në Uashington nuk dëshiron të komentojë rreth kësaj çështjeje, por ka të dhëna të qarta se Ahmed Ali Saleh, i cili është pronari i këtyre banesave është, djali i madh dhe trashëgimtari i hershëm i presidentit Abdullah Saleh. Ai është njëkohësisht edhe kreu i “Njësisë Speciale Republikane” të Jemenit, e cila ka kryer një sërë sulmesh ndaj protestave masive e paqësore në “Change Square” në Sanna. Jemeni, që njihet si vendi më i varfër i botës arabe, ka ngritur krye ndaj sundimit të familjes së Salehut qysh në shkurt të këtij viti, vetëm pak çaste pas rënies së tunizianit Ben Ali. Që nga ajo kohë, luftëtarët e fiseve, veprimtarët e rinj pro-demokratë, si dhe forcat e ushtrisë dhe sigurisë në vend kanë shfaqur prirje rivalizuese për të marrë sa më shumë kontroll territoresh. Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut janë shprehur se qeveria ka vrarë së paku disa mijëra protestues qysh kur zuri fill kryengritja, ndërkohë që të tjerë janë të mendimit se ky numër është ku e ku më i lartë. Kryengritja në Jemen ka marrë shtysë pjesërisht nga vetë-pasurimi i familjes sunduese, por edhe për faktin që trupat ushtarake janë përfituesit kryesorë të këtij pasurimi. (Për më tepër që kushërinj të afërt të presidentit Saleh janë emëruar në pika kyçe të ushtrisë dhe forcave të sigurisë). Jemeni po shfrytëzon në mënyrë marramendëse rezervat e naftës dhe burime të tjera, duke e çuar ekonominë e vendit buzë greminës, çka e bën edhe më shpërthyese gjendjen në vend.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›