E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Romancë në ditën e krimit”, drama e re e trupës “Aleksandër Moisiu”

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 04-03-2011 11:25

Trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të shfaqë këtë fundjavë dramën “Romancë në ditën e krimit”, me autor Bashkim Hoxhën dhe regji të Adelina Muçës. Përgatitjet për premierën e kësaj shfaqjeje janë në momentet e fundit, ndërkohë që në një konferencë për shtyp që është realizuar dje regjisorja Muça ka premtuar një shfaqje krejt ndryshe për publikun durrsak. Drama në fjalë është e njëjta me dramën “Këngë dashurie me korba”, e cila në vitin 1997 ka fituar çmimin “Aleksandër Moisiu”, si drama më e mirë në gjuhën shqipe. Ndryshimi i titullit të kësaj drame në “Romancë në ditën e krimit” nuk është cilësuar si një rastësi, por autori dhe regjisorja kanë deklaruar se është një gjë krejt ndryshe, duke i premtuar publikut se kanë për të parë një shfaqje të veçantë. Në rolet kryesore interpretojnë Hervin Çuli, i cili kthehet në aktrim pas shumë vitesh , bashkë me aktoren Eralda Çaushi. Regjisorja Adelina Muça është shprehur e kënaqur që autori ia ka besuar asaj këtë pjesë, pasi për të është hera e parë që do të jetë regjisore e mirëfilltë në një shfaqje teatrale. Vepra në pjesën më të madhe të saj është një ëndërr dhe imagjinatë e krijuar nga personazhi kryesor Marko, i cili interpretohet nga Hervin Çuli. Ky i fundit është shprehur për rikthimin e tij si aktor se nuk është e lehtë të aktrosh, por unë di ta bëj mirë këtë punë dhe do të dal mirë në këtë pjesë. Një e veçantë tjetër e shfaqjes është kori i korbave, i cili përbëhet nga Gjergji Doçi, Mustafa Biduli dhe Fatime Shehu. Ndërkaq, dy studentet Marsela Belba dhe Floresh Kurti, sjellin një frymë të re në këtë pjesë. Drama në fjalë është vënë në skenë në vitin 1997 nga regjisori Haxhi Rama, ku në rolet kryesore kanë luajtur Liri Lushi dhe Xhelal Tafaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›