E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dikush duhet të vdesë” në Fier kthen në skenë Koço Devolen

Ky është titulli i përzgjedhur për pjesën më të re të dramës satirë, i autorit Pëllumb Kulla, për t’u vënë në skenën e teatrit “Bylis”. Skenografia i është besuar sërish Pano Kondos, ndërsa ndihmës regjisorë që do të punojnë përkrah Kullës janë Arqile Lici dhe Dafina Llupi. Drejtori i teatrit “Bylis”, Robert Hoxha, deklaroi se kjo pjesë vjen në skenë për artdashësit fierakë pas suksesit që artistët fierakë korrën me pjesën “Milioneri”. Sipas tij, pjesa e radhës është përzgjedhur edhe për të përfaqësuar 40-vjetorin e Teatrit të Fierit, që përkon me këtë vit. Ndërkohë që regjisori dhe autori Pëllumb Kulla tha se pjesa në fjalë është një projekt i cili kërkon punë dhe përkushtim prej aktorëve dhe përzgjedhja e tyre e bën atë optimist se projekti do të realizohet shumë shpjet dhe me cilësi. Kulla deklaroi se përkrah aktorëve me përvojë janë përzgjedhur edhe mjaft të rinj. “Kjo pjesë, në ndryshim nga “Milioneri”, ka marrë bekimin edhe të mjaft sponsorëve që janë ofruar vullnetarisht nga biznesi fierak, për të mbajtur gjallë jetën artistike. Unë shpresoj dhe kam bindjen se pjesa “Dikush duhet të vdesë” do të jetë dhe një shfaqje që do të përfaqësojë denjësisht 40-vjetorin e Teatrit të Fierit” - tha Kulla. Në qendër të dramës satirë është sërish konflikti qytetar i brezit të tretë me qeverinë. Personazhi kryesor i është besuar të mirënjohurit Koço Devole, i ndjekur nga Hasan Bregu, Hajrije Rondo, Todi Llupi dhe Arqile Lipe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›