E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romani “I humburi” sjell Treichel në Shqipëri



Me rastin e daljes në qarkullim të romanit “I humburi” në përkthimin e Ardian Klosit dhe aktiviteteve përmbyllëse të Tetorit Gjerman, Treichel do të mbajë dy lexime publike: Të parin më 19 nëntor, ora 18.00 në Ambasadën Gjermane, të dytin më 20 nëntor po në ora 18.00 në Akademinë e Arteve (Salla Black Box). Ndërsa leximi i parë do të jetë më shumë në gjuhën gjermane, i dyti fton në radhë të parë publikun shqiptar për të dëgjuar fragmente nga ky roman psikologjik, i ngritur mbi një ngjarje të vetë jetës së shkrimtarit. Gjithsesi të dyja leximet do të shoqërohen me projeksion të gjuhës tjetër. Në përfundim të leximit të dytë, në Akademinë e Arteve, ju ftojmë të ndiqni një nga filmat më të njohur gjermanë të viteve të fundit “Das Ëunder von Bern”, “Mrekullia e Bernës”. Shkrimtari Hans-Ulrich Treichel është sot një nga emrat më të njohur ndër prozatorët bashkëkohës të Gjermanisë. Prej romanit të parë “I humburi” e deri më sot ka botuar 6 romane, veç vëllimeve të shumta me poezi e ese. Treichel është gjithashtu i njohur si një ndër profesorët e pakët në Gjermani që jep mësim mjeshtërinë e të shkruarit, në Institutin e Letërsisë Gjermane pranë Universitetit të Lajpcigut.

Java e filmit spanjoll në Berat
Filmat spanjollë vazhdojnë që të shfaqen në Berat. Në kuadër të Javës së VIII të kinemasë spanjolle, për publikun vjen filmi “Vota e diskutuar e Zotit Cayo”. Ngjarjet në film sjellin panoramën e një fshati të rrënuar, ku vihen përballë dy kultura. Filmi fillon me këtë fshat pothuaj të boshatisur dhe në shkatërrim, të veriut të Kastiljes, ku arrin një grup me të rinj, të një partie politike për të bërë fushatë elektorale. I pret zoti Kajo, një nga banorët e mbetur në fshat. Jeta e tij është gati robinsoniane, e folura e tij e qetë dhe mbart një dituri të thellë që i vesh atij një sens të fortë human. Gjuha e ashpër dhe e çorientuar e të rinjve që e vizitojnë, edhe pse të arsimuar disa e të tjerë injorantë, është kontrapunkti i nevojshëm për të vënë në pah dy kultura që injorojnë njëra tjetrën. Njëra, që pak nga pak po zhduket e zëvendësuar nga tjetra e zhurmshme dhe e masifikuar. Filmi “Vota e diskutuar e Zotit Cayo”, është një prodhim i vitit 1986 me regji nga Antonio Jimenez Rico.

Përkujtohet 65 vjetori i çlirimit të Tiranës
17 nëntori i këtij viti, ka shënuar plot 65 vjet nga dita e çlirimit të Tiranës. Bashkia e kryeqytetit ka organizuar disa aktivitete përkujtimore, të cilat kanë nisur me pritjen nga kryebashkiaku Rama të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Më pas, në pavionin e xhamtë në qendër të Tiranës, është çelur ekspozita fotografike me pamje nga lufta për çlirimin e Tiranës. Ceremonitë kanë vijuar me homazhe të përfaqësuesve të qeverisë pranë bustit të ushtarit të panjohur. Aktiviteti është mbyllur nga bashkia me një pritje për veteranët, përfaqësuesit e klerit dhe ata të trupave diplomatike.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›