Filmi “Gjallë” kurorëzohet me “Don Kishoti”, përfaqëson Shqipërinë për çmimin Oscar
Izaura Ndoj
Vazhdon të na suprizojë regjisori Artan Minarolli me veprat e tij të shfaqura në skenat europiane, pasi arriti një tjetër çmim ndërkombëtar për filmin “Gjallë”(“Alive”), çmimin “Don Kishoti”, në Festivalin e Filmit në Cotbus, Gjermani. Pas çmimit ndërkombëtar që mori në Festivalin e Montpeliesë, një tjetër çmim vjen kësaj here në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cotbus të Gjermanisë për filmin “Gjallë” të regjisorit Artan Minarolli, festival që u mbajt nga data 10-15 nëntor. Juria e festivalit e vlerësoi me çmimin “Don Kishoti” filmin e Minarollit, për aspektin dramatik e emocional. Gjithashtu edhe aktori kryesor i filmit, Nik Xheliaj, u nominua ndër tre kandidatët për të fituar çmimin si aktori më i mirë protagonist. Në fund juria vlerësoi me këtë çmim aktorin serb, Relja Popovic, protagonist i filmit fitues të këtij festivali. Në ceremoninë gala të ndarjes së çmimeve mori pjesë edhe regjisori Artan Minarolli, i cili e tërhoqi vetë këtë çmim. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe aktori Nik Xhelilaj, producenti ekzekutiv i filmit z. Dritan Huqi dhe përfaqësuesi i Qendrës Kombëtare Kinematografike, z. Arben Lami. Ky çmim është i treti për filmin "Gjallë", pas çmimit special që mori në Festivalin Ndërkombëtar të Durrësit në muajin gusht dhe çmimit në Montpelie, muajin e kaluar. Ndërkohë ky film është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në seksionin e filmit të huaj, për Edicionin e 82 të çmimit “Oscar” për vitin 2010. Kujtojmë se pas premierës së tij, filmi “Gjallë” në pak më shumë se dy muaj është zgjedhur në programet zyrtare të disa festivaleve, si Karlovy Vary - Çeki, Pusan-Kore e Jugut, Antalya-Turqi, Chennai-Indi, Bergen- Norvegji. Gjithashtu, në shkurt 2010 filmi “Gjalle” do të marrë pjesë në garën zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Beograd, në Festival International du Film d'Amour de Mons në Belgjikë dhe se fundi në Cleveand International Film Festival, SHBA. Në Festivalin e Cotbusit me çmimin e parë u vlerësua filmi i regjisorit serb Vladimir Perisic ,“Lubina”. Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Lindjes në Cotbus zhvillohet që nga viti 1990 dhe është një ndër festivalet e rëndësishme të filmit për vendet e Evropës Lindore. Filmi, me skenar dhe regji të Minarollit, prek një temë shqiptare, siç është gjakmarrja, duke gërshetuar kohët, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Bazuar në skenarin e Ylljet Aliçaj, ngjarjet e filmit vendosen në vitin 1997, në kohën e trazirave në Shqipëri. Në qendër është Koli, djaloshi malësor, studenti i vendosur në metropolin shqiptar, por që është edhe viktima e radhës së gjakmarrjes.
Fati i individit shqiptar në filmin “Gjallë”
Motivi i gjakmarrjes, si shkas për të diskutuar për fatin e individit shqiptar në ditët e sotme, me këtë ide regjisori Artan Minarolli ka nisur xhirimet për filmin e tij më të fundit “Gjallë”. Filmi trajton fenomenin e gjakmarrjes në vendin tonë. Historia bën fjalë për një djalë i cili zbulon një “dhuratë”, që do t’ia ndryshojë krejt papritur kahun e jetës. Ai është në gjak me dikë, dhe tashmë duke qenë mirë e bukur, ka pas shpine edhe një hasm. Për shkak të gjakmarrjes, djali nga Malësia e Veriut detyrohet të braktisë shkollën. Ai shkon në një tjetër fshat te disa kushërinj dhe detyrohet të punojë në një lavazh, por fshati ka probleme të tjera, kështu që djali nuk mund të qëndrojë më as aty dhe kthehet prapë në shkollë. Ai i ruhet shumë hasmit, madje arrin deri në pikën kulminante, sa detyrohet të mbajë me vete një armë, (revolver).
Pra personazhi rreth të cilin zhvillohen ngjarjet, është pikërisht ky djalë i ri, i cili jeton çdo moment nën ankthin e jetës dhe vdekjes, derisa vjen një moment kur hasmi papritur i shfaqet përpara. Drama e personazhit nis në një ceremoni mortore.
Ishte aty ku ai mëson se është në shënjestrën e një gjakmarrjeje të vjetër. Dëshira për të jetuar si gjithë të tjerët dhe frika nga vdekja përplasen brenda tij, duke krijuar situata të forta tensioni. Filmi i ri është një bashkëprodhim shqiptaro-austriak-francez, që është ndërtuar mbi një skenar, që tregon me anë të një gjuhe kinematografike pasojat, që ka lënë gjakmarrja në shoqërinë shqiptare.
18 Nentor 2009