Ekzekutohet me 4 plumba në Shqipëri, kufoma i gjendet në territorin grek
JANINË – Pamje të tmerrshme për disa banorë të Janinës në Greqi të cilët kanë zbuluar buzë lumit trupin dhe kokën masakruar të një të riu shqiptar i ekzekutuar nga persona të pa identifikuar, ku dyshimet e para janë hedhur për një vrasje mes grupeve për larje hesapesh. Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se policia mori informacion nga një bari i zonës, i cili denoncoi për gjetjen e një trupi të pajetë në lumin Kalama pranë Shën Vlasios, në Thesproti, zonë fare afër territorit shqiptar. Viktima është i moshës 32-vjeçar, emri i të cilit nuk u publikuar pasi ende familja e tij në Shqipëri nuk është njoftuar. Kufoma u dërgua në spitalin universitar të Janinës për ekspertizë mjeko-ligjore dhe për të mundësuar identifikimin nga familja, proces me të cilin po merret policia e Igumenicës. Autopsia e kryer tregoi se i vdekuri ka marrë katër plumba në kokë me një armë me rreze të shkurtër veprimi, e cila dyshohet se është pistoletë. Profesori i Mjekësisë Ligjore, Theodoris Vougiouklakis sqaroi se i ndjeri kishte plagë të shumta në kokë marrë nga plumbat e armës së zjarrit. Dy plumba u gjetën brenda kafkës, sepse këto dëmtime ishin “të verbër”, kurse u identifikuan edhe plagët e marra nga dy plumba të tjerë që kishin përshkuar kokën. Sipas ekspertizës, vdekja e tij mund të ketë ndodhur rreth dhjetë ditë më parë dhe vetëm paraditen e djeshme është gjetur trupi i tij. Policia tha se dyshon për vrasje mafioze dhe beson që ekzekutorët mund ta kenë ekzekutuar teksa viktima ndodhej në tokën shqiptare dhe më pas e kanë hedhur atë në lumin Kalama që gjendet pranë kufirit shqiptaro-grek. Paraprakisht dyshohet që vrasja e 32-vjeçarit të jetë bërë për larje hesapesh droge. Në këtë zonë u kap disa javë më parë një sasi prej 1.5 ton hashash. Tashmë, pritet të kryhen procedurat e verifikimit nga policitë e dy vendeve deri në identifikimin e emrit të viktimës.
18 Nentor 2009